Ay në fund të klasës rrinte e vetmuar vajza 17 vjeçare Irsa Muçollari. E vetmuar nga trishtimi për babain e sëmurë, e vetmuar nga turpi i varfërisë së familjes, e vetmuar në brengat e saj por e rrethuar me bullizimet e shokëve dhe shoqeve. E tallnin, e fyenin, i thoshin pse vesh të njëjtat rroba, pse nuk ke celular të shtrenjtë, pse nuk je e bukur…
Ata gaboheshin se Irsa ishte e bukur, e bukur me qetësinë e saj, e bukur me thjeshtësinë e saj, e bukur me heshtjen e saj, e bukur me zgjuarsinë e saj. Irsa qëndroi e bukur deri dje kur vendosi të vriste veten nga mënxyra që i sillnin shoqet, shokët, bullizimet, fyerjet, indiferenca e mësuesve. Dhe për të mos e shëmtuar veten nga ambienti toksik që e rrethonte në gjimnazin e Gjirokastrës shkoi me vullnet në botën tjetër, atje ku ëngjëjt nuk do ta bullizojnë e nuk do ta fyejnë asnjëherë. Ëngjëjt do ta mbajnë përqafuar deri në përjetësi.
Lamtumirë vogëlushja fatzezë!
/Marrë nga Facebook-u i gazetarit Bledi Mane/