Përllogaritja e tatimit, si të ardhura nga punësimi, për të vetëpunësuarit ofrues së shërbimeve profesionale që sigurojnë 80% të të ardhurave bruto nga 1 klient apo 90% të tyre nga më pak se 3 klientë, do të nisë nga 1 janari 2025.
Për këtë kategori tatimi për t’u paguar do të përllogaritet për efekt të periudhës tatimore 2025 dhe do të paguhet deri në mars 2026.
Udhëzimi i ndryshuar “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin e përgjithshëm nr. 26, datë 8.9.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se përllogaritja, detyrimi dhe deklarimi do të fillojnë nga data 1 janar 2025.
““Referuar pikës “e”, të nenit 69 të ligjit, për të gjithë tatimpaguesit të regjistruar para datës 31 dhjetor 2023, të cilët janë subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimit mbi fitimin, si edhe për ata që regjistrohen për herë të parë në vitin pasardhës, për efekt të periudhës tatimore 2024, do të përdoren formularët dhe përgjegjësitë tatimore, sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, si dhe ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Për rrjedhojë, përllogaritja, detyrimi dhe deklarimi do të fillojnë nga data 1 janar 2025”, citohet në udhëzim.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpjegoi për Monitor se për këtë kategori tatimpaguesish që përllogaritja e detyrimit dhe deklarimi do të fillojnë nga 1 Janar 2025, deklarimi do të jetë vjetor me Formularin e Deklarimit dhe pagesës së të ardhurave personale nga biznesi.
“Llogaritja e tatimit do të jetë vjetore, si të ardhura nga punësimi (neni 12) dhe tatimi i fitimit të tatueshëm do të llogaritet sipas përcaktimeve në nenin 22 të ligjit 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”, pohojnë tatimet.
Sipas shembujve që jepen në udhëzimin e ndryshuar, botuar në Fletoren Zyrtare, të ardhurat bruto do të tatohen me normat nga 13 deri në 23%, pasi t’u zbriten shpenzimet e biznesit. Shpenzimet janë të deklaruara ose në rast se të ardhurat vjetore janë deri në 10 mln lekë, i vetëpunësuari ka të drejtë të zgjedhë njohjen e shpenzimeve apriori në masën 30%.
Po ashtu do t’i llogariten si zbritje shpenzimesh në vlerën 48 mijë lekë në vit kur individi i punësuar ka një fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe ka të ardhurat vjetore më të larta të tatueshme në familje.
Si dhe t’u njihet zbritja e shpenzimeve të përcaktuara në pikën e të nenit 22 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që përcakton zbritje nga baza tatimore “një shumë prej 360 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë”.
Në përfundim norma tatimore për llogaritjen e tatimit të fitimit do të jetë nga 13% për fitimin deri në 2,040,000 lekë dhe 23% mbi 2 040 000 lekë.
Llogaritja e tatimit, si ndryshon udhëzimi
- Pika 12.8 ndryshon me përmbajtjen si më poshtë:
“12.8 Nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave të fituara i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave të fituara nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto vjetore të tij (të ardhura të faturuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit), do të aplikohen normat e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi (pas zbritjes së shumave sipas neneve 22 dhe 23 të ligjit).
Për qëllime të zbatimit të kësaj pike, individi i vetëpunësuar llogarit nëse e ardhura plotëson kriteret e parashikuara në germën “ç”, të pikës 1, të nenit 12 dhe, nëse këto të ardhura rezultojnë sipas këtyre kushteve, deklarimi i të ardhurave sipas këtij paragrafi, do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari në deklaratën tatimore vjetore të tij. Individi i vetëpunësuar në deklaratën vjetore të biznesit do t’i deklarojë të ardhurat duke plotësuar rubrikën e të ardhurave nga punësimi dhe nuk plotëson rubrikën e të ardhurat nga biznesi.
Rregulli sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky paragraf zbatohet pavarësisht nëse i vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar.
Shembull. Deklarimi për vitin 2025
– Individi i vetëpunësuar me inicialet “A.B.” me kod ekonomik J6201 “Aktivitete të programimit informatik”, rezulton se gjatë vitit 2025, ka pasur të ardhura bruto nga biznesi në shumën 4,000,000 lekë. Nga këto të ardhura, 3,280,000 lekë të totalit të të ardhurave i ka realizuar nga kompania me inicialet “C.D.”, ndërkohë që pjesa tjetër e të ardhurave tatimore prej 720,000 lekë rezulton nga 5 kompani të tjera. Shpenzimet tatimore të individit të vetëpunësuar për vitin 2025 janë 1,000,000 lekë. Shënime të tjera: Ndërkohë individi i vetëpunësuar ka një fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe ka të ardhurat vjetore më të larta të tatueshme në familje.
Si do të tatohen të ardhurat e individit të vetëpunësuar: 82% (3,280,000 lekë/4,000,000 lekë) e të ardhurave nga biznesi rezultojnë nga 1 klient i vetëm. Duke qenë se të ardhurat e individit të vetëpunësuar janë 80% e më shumë nga 1 klient i vetëm (shkronja ç/i, pika 1, e nenit 12) atëherë fitimi i tatueshëm i individit të vetëpunësuar do të konsiderohet e ardhura nga punësimi për llogaritje të detyrimit tatimor.
Shënim. Vetëm për qëllim të llogaritjes së masës në % të së ardhurës së fituar nga secili klient, pesha për të ardhurën e fituar nga klienti konsiderohet e njëjtë me peshën e së ardhurës bruto nga klienti. Si do të bëhet deklarimi: Individi i vetëpunësuar në deklaratën e tij vjetore “Formulari i deklarimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi” do të plotësojë rubrikat 8/9 “Të ardhura nga punësimi”. Pasi plotëson rubrikat 8 dhe 9, rubrikat nga 10 deri në rubrikën 21, që i përkasin të ardhurave nga biznesi nuk plotësohen.
Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi:
Baza e tatueshme = Të ardhura tatimore – (zbritjet tatimore + shpenzimet tatimore) *Shënim. Individi i vetëpunësuar, duke qenë se ka të ardhura vjetore deri në 10,000,000 lekë, ka të drejtë të zgjedhë regjimin e veçantë për njohjen e shpenzimeve të zbritshme. Ky shpenzim i zbritshëm apriori është 30% për individët e vetëpunësuar. Në rubrikën 28 të deklaratës, konkretisht ky subjekt zgjedh kutizën “Po” për zbritjen apriori të shpenzimeve. – Në shembullin e paraqitur, duke qenë se individi zgjedh zbritjen apriori të shpenzimeve, shpenzimet e zbritshme do të jenë: 30%*4,000,000 lekë = 1,200,000 lekë – Ndërkohë tatimpaguesi përfiton dhe zbritjet sipas nenit 22, pika 1 e ligjit, konkretisht 360,000 lekë sipas shkronjës “c” dhe 1*48,000 lekë sipas shkronjës “ç”. Baza e tatueshme = 4,000,000 lekë – (360,000 lekë + 48,000 lekë + 1,200,000) lekë Baza e tatueshme = 2,392,000 lekë Tatimi i llogaritur = 13%*2,040,000 lekë + 23%*352,000 lekë Tatimi i llogaritur = 346,160 lek
Referuar pikës “e”, të nenit 69 të ligjit, për të gjithë tatimpaguesit të regjistruar para datës 31 dhjetor 2023, të cilët janë subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimit mbi fitimin, si edhe për ata që regjistrohen për herë të parë në vitin pasardhës, për efekt të periudhës tatimore 2024, do të përdoren formularët dhe përgjegjësitë tatimore, sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, si dhe ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Për rrjedhojë, përllogaritja, detyrimi dhe deklarimi do të fillojnë nga data 1 janar 2025.”/Monitor