Nga Myzafer Elezi
Të nderuar qytetarë të qarkut Vlorë,
Me përgjegjësi dhe përkushtim, dëshiroj t’ju njoftoj se Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë ka miratuar me unanimitet kandidaturën time për deputet në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 11 majit 2025, nën siglën e “Koalicionit Euroatlantik”.
Ky është një angazhim i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë ata që besojnë në një politikë ndryshe, të ndershme dhe të përgjegjshme.
Vlorën e njoh nga afër. Është qyteti ku kam jetuar me familjen time për rreth 30 vite, ku kam ndërtuar karrierën time dhe ku vazhdoj të kontribuoj aktivisht si përfaqësues i opozitës në Këshillin Bashkiak.
Sfida jonë sot është të krijojmë një model të ri qeverisjeje, që i jep fund politikës së vjetër të korrupsionit dhe padrejtësive, që hap rrugën për meritokracinë dhe zhvillimin e vërtetë ekonomik.
Në muajt në vijim, do të kem mundësinë të bashkëbisedoj me qytetarët e çdo zone të qarkut, për të ndarë vizionin dhe alternativën tonë për një të ardhme më të mirë.
Faleminderit për mbështetjen dhe besimin tuaj. Angazhimi im do të jetë i palëkundur për një ndryshim real dhe të prekshëm për qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.
Ju faleminderit!