Kryetari i PD, Sali Berisha ka komentuar në emisionin “Opinion” edhe gjestin e kryeministrit Edi Rama, i cili duke bashkëbiseduar me qytetarët në rrjetet sociale pati probleme teknike dhe më pas goditi tavolinën dhe përdori një fjalor të papërshtatshëm.
Berisha tha ky akt tregon kryeministrit Rama “i ka ardhur fundi”. Madje sipas kreut të demokratëve, atë ditë që i ndodhi incidenti, Rama ka thyer edhe karrige.
“Ai është i shkallmuar tani. Erdhi në fundin e tij ai. E mori fundin. Ai pardje ka qenë gjithë ditën duke thyer karrige. Sille këtu Baton Haxhiun të flasë. Sille se ka qenë me të aty. Vazhdoi ajo historia e tavolinave” – tha Berisha.
I pyetur se kush fshihet pas identitetit “Nesti Angoni” që ka bërë denoncimin ndaj Erion Veliajt, Sali Berisha u shpreh: “Nesti Angoni është Lubia, është me Bistrin që ka dhënë të dhëna. Bistri regjistronte çdo njeri pa kaluar në prokurori, në gjykata” – tha Berisha.
Sipas tij, nëse Partia Demokratike fiton zgjedhjet parlamentare të 11 Majit dhe do të vijë në pushtet, reforma në drejtësi do të ndryshojë.
“Secili prej tyre që ka fjetur mbi dosjet e krimit do shkojë te kriminelët. Do ndryshojë drejtësia. Nuk mundet të më imponojë kush të mbaj kriminelë në detyrë.
Do marr Komisionin e Venecias, do vemë dosjet përpara, sepse këta zotërinjtë në vend se të kërkojnë ndihmën e publikut… unë kërkova komisionin e të vërtetës, kurse këta i shpallin sekret shtetëror lidhjet e krimit me politikën” – tha Berisha