Zyrtarët më të lartë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla u takuan të premten me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen. Takimet u zhvilluan ndaras dhe kishin në fokus dialogun Kosovë-Serbi që pritet të rinisë së shpejti.
“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, shkruan presidentja Osmani përmes një postimi në X – dikur Twitter.
Kryeministri Albin Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2023. Palët nuk e kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe as nuk kanë bërë ndonjë hap drejt zbatimit të saj.
Sipas Zyrës së kryeministrit, Kurti ka thënë se kjo marrëveshje “po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres [Ana] Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja”.
“Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160-faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, është cituar të ketë thënë mes tjerash Kurti.
Peter Sorensen, nga Danimarka, e ka nisur zyrtarisht punën më 1 shkurt, duke e pasuar Mirosllav Lajçakun. Osmani, Kurti dhe zyrtarë tjerë të Kosovës patën kritikuar Lajçakun për qasje të pabarabartë në dialog dhe për rreshtim, me raste, kah Serbia.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka thënë një ditë më parë se ka dëgjuar kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë mundësinë, së bashku me Sorensenin, për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje.
![Kurti 1](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2025/02/kurti-1-1-560x350.jpg)
![Vjosa](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2025/02/vjosa-532x350.jpg)
![Donika](https://www.balkanweb.com/wp-content/uploads/2025/02/donika.jpg)