Nga Halil Teodori
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, do të shënojnë një moment të rëndësishëm, jo vetëm për dinamikën e brendshme politike, por edhe për rolin e diasporës shqiptare, si një faktor i fuqishëm dhe potencialisht vendimtar në rezultatin elektoral. Përfshirja e votës së diasporës është më shumë se një hap drejt demokratizimit të procesit zgjedhor; ajo përfaqëson një barometër të sinqertë dhe të paanshëm të pritshmërive elektorale të kombit.
Diaspora, pas një mohimi të stërgjatë dhe të pajustifikuar, më në fund, për herë të parë kurorëzon përfshirjen si faktor në zgjedhje, duke u promovuar dhe konsideruar, si një barometër i aktualitetit politik, një gjykatës i drejtë dhe i paanshëm, i qeverisjes aktuale dhe i perspektivës që do të garantojë qeverisjen që del nga beteja elektorale e 11 majit 2025.
“Vota e diasporës” ka shanset për të ndryshuar pushtetin, apo të fuqizojë besueshmërinë e qeverisjes aktuale, e cila edhe pse me një numër të konsiderueshëm eksponentësh, që po hetohen nga SPAK për afera korruptive dhe abuzim me paranë publike, ajo vjen në këtë ballafaqim, me të drejtën për të kërkuar të rimandatohet, sepse sipas faktorit evropian ka një ecuri pozitive në përmbushjen e kërkesave dhe realizimin e detyrave për të çuar Shqipërinë në BE.
Me një numër të konsiderueshëm qytetarësh që jetojnë jashtë vendit, dhe me potencialin për të ndikuar rezultatin, në disa zona të ndjeshme elektorale, apo bastione politike të së majtës dhe të djathtës, vota e diasporës mund të ndryshojë balancat tradicionale të pushtetit.
“Vota e diasporës” ka premisat të tregojë se cili është roli i vërtetë i votës, si instrument demokratik i vendimmarrjes dhe si e drejtë legjitime, për të qenë faktor në fatin politik dhe ekonomik të vendit.
“Vota e diasporës” parashikohet të jetë më së shumti dhe më së të dëshiruari, një vullnet i pandikueshëm politik dhe partiak, që nuk blihet me thasë me miell, me furgonë me ushqime, me vende pune dhe para në dorë. Sepse emigrantët janë më pak të ekspozuar ndaj presioneve lokale dhe qendrore, qoftë ato politike apo ekonomike, gjë që mund të rezultojë në një votë më të lirë dhe të pavarur, e cila tërheq vëmendjen drejt çështjeve madhore si transparenca, qeverisja e mirë dhe zhvillimi afatgjatë.
Mundësimi i diasporës për të votuar është një shenjë që Shqipëria po bën përpjekje për të përfshirë të gjithë qytetarët e saj, kudo që janë, në proceset demokratike. Ndoshta duke i dhënë fund atij që u quajt dhe u abuzua politikisht dhe mediatikisht, si tranzicion. Kjo arritje, për t’u dhënë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të globit, të drejtën e çdo qytetari me këtë status në botë, për të votuar dhe për të qenë faktor në vendimmarrjen e fatit të qeverisjes së vendit të tyre, mund edhe të interpretohet si një hap pozitiv për qeverinë aktuale, duke demonstruar angazhimin për reforma dhe gjithëpërfshirje.
Nëse pjesa më e madhe e diasporës sheh qeverinë aktuale si garantuese të progresit ekonomik dhe stabilitetit politik, vota e tyre mund të konsolidojë pushtetin e saj dhe fuqizojë atë në të drejtën për të qeverisur Shqipërinë edhe për një mandat tjetër.
Ky proces nuk është pa sfida. Besimi në sistemin zgjedhor dhe mënyra e trajtimit të votës së diasporës do të jenë thelbësore. Nëse sprova perceptohet si i manipuluar ose jo transparent, kjo mund të minojë jo vetëm rezultatin, por edhe besueshmërinë e sistemit demokratik. Nga ana tjetër, një proces i drejtë mund të çojë në rritjen e legjitimitetit të institucioneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes shtetit dhe diasporës.
Diaspora, duke hyrë për herë të parë si faktor në zgjedhje, përfaqëson një forcë të re dhe të pavarur që mund të ndikojë dukshëm në rezultatin zgjedhor. Nëse ky rol do të ndryshojë rrjedhën e pushtetit apo do të fuqizojë qeverinë aktuale, do të varet nga mënyra se si qeveria dhe opozita ndërtojnë mesazhet dhe programet e tyre për t’iu përgjigjur interesave dhe shqetësimeve të diasporës.
Ajo është një matës i saktë, i paanshëm dhe pandikueshëm dhe padyshim dhe një përgjegjësi për të kontribuar. Këtë e tregojnë më së miri interesimi në rritje i regjistrimeve.
Kërkesat më të larta janë nga shqiptarët që jetojnë në Itali. Më tej janë emigrantët shqiptarë në Gjermani, Greqi, SHBA…etj.
Një staf i KQZ-së, punon me 3 turne për t’u përgjigjur kërkesave, duke i informuar për kalimin me sukses, apo refuzimin.
Afati për aplikime do të përfundojë më 12 mars 2025, ndërsa më 11 maj shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur qeverinë dhe parlamentin e ri. Pjesëmarrja e Diasporës në këto zgjedhje shënon një hap të rëndësishëm në përfshirjen e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në vendimmarrjen politike të vendit.
Pjesëmarrja e qytetarëve shqiptarë të diasporës në procesin e regjistrimit për të votuar në zgjedhjet e 11 majit tregon një përgjegjësi dhe angazhim të rëndësishëm për të kontribuar në zhvillimet politike dhe progresin ekonomik të Shqipërisë. Ky akt është një shprehje konkrete e lidhjes së tyre me vendin e origjinës dhe një dëshmi e vetëdijes për rëndësinë e të drejtës së votës si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen politike, edhe pse jetojnë dhe punojnë larg.
Diaspora shpesh konsiderohet një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e një vendi, jo vetëm përmes remitancave ekonomike, por edhe përmes pjesëmarrjes aktive në proceset demokratike. Duke shprehur vullnetin e tyre në zgjedhje, shqiptarët e diasporës jo vetëm që përforcojnë lidhjet me Atdheun, por gjithashtu kontribuojnë në ndërtimin e institucioneve më të forta dhe në drejtimin e politikave që reflektojnë interesat dhe nevojat e gjithë qytetarëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo pjesëmarrje tregon gjithashtu një ndërgjegjësim për të drejtat e tyre kushtetuese dhe një përpjekje për t’i ushtruar ato, pavarësisht sfidave logjistike apo distancës gjeografike. Është një hap pozitiv drejt një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe një shembull i mirë për angazhimin qytetar global.
Si çdo betejë elektorale, edhe kjo e “Votës së diasporës” është një test për qeverinë aktuale, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe vullnetin politik, i cili duhet të tregojë maturi dhe besueshmëri në përmbushjen e kësaj sfide. Sepse në thelb “Vota e diasporës” nuk është thjeshtë një vullnet i shqiptarëve të botës, por është një respekt dhe dinjitet për të bashkëpunuar dhe bashkëvepruar në përmbushjen e një kauze të lartë, siç është e drejta e votës, një legjitimitet për të zgjedhur dhe vendosur, për fatin e atdheut, pavarësisht se ku jeton dhe punon. Sepse çdo emigrant ai është me zemër e me mëndje në vendlindje, dhe dëshiron që Shqipëria të gëzojë të njëjtën të drejtë që ka çdo vend tjetër i botës së qytetëruar, që të jetë i përfaqësuar dhe i promovuar nga e drejta e votës, si e drejtë demokratike për të zgjedhur.
Diaspora shqiptare ka treguar ndër vite një ndjeshmëri të thellë ndaj zhvillimeve në vend dhe shpesh ka qenë zëri i kritikës konstruktive dhe i aspiratave për ndryshim. Vota e saj nuk ndikohet nga presionet dhe ndërhyrjet që shpesh karakterizojnë procesin zgjedhor brenda kufijve të Shqipërisë, duke u bërë kështu një reflektim më i pastër i besimit dhe pritshmërive që kanë shqiptarët për të ardhmen.
Në këtë kuadër, është jetike që procesi i votimit të diasporës të jetë transparent, i drejtë dhe i aksesueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Mënyra se si do të menaxhohet kjo votë do të jetë një provë për përkushtimin e institucioneve ndaj parimeve demokratike dhe respektimit të së drejtës themelore të çdo qytetari për të zgjedhur.
Nëse vota e diasporës do të trajtohet me seriozitetin e duhur, ajo mund të bëhet një katalizator për një sistem politik më të drejtë dhe një qeverisje më të përgjegjshme, duke i dhënë fund ndasive të vjetra dhe duke hapur rrugën për një të ardhme që pasqyron vullnetin e gjithë kombit, brenda dhe jashtë kufijve.