Një ngjarje rëndë ka ndodhur në Janinë, ku një 45-vjeçare shqiptare, e cila kishte denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje, u hodh nga dritarja e një hoteli pasi zbuloi se ai e kishte gjetur.
45-vjeçarja, sipas mediave greke, ndodhet në spitalin e Janinës, jashtë rrezikut, por mësohet se ka marrë plagë të rënda.
Raportohet se ditën e martë, më 11 Shkurt, shqiptarja ka kontaktuar me autoritetet dhe ka denoncuar bashkëshortin e saj, me të cilin ka dy vajza, për dhunë në familje.
Policia u vendos në kërkim të tij, ndërsa i sugjeruan 45-vjeçares që të instalonte në celularin e saj aplikacionin e butonit panik dhe ta transferonin në një ambient të posaçëm.
Por, gruaja nuk pranoi dhe u përgjigj se do të preferonte të shkonte të qëndronte me vajzat e saj në një hotel në Janinë.
Dhe kështu ndodhi. Por, ditën e sotme, teksa ishte në dhomë me vajzat, kuptoi se bashkëshorti i saj kishte gjetur hotelin ku po qëndronin dhe se ishte në recepsion duke kërkuar që të fliste me të.
Por, sipas mediave greke u frikësua aq shumë sa vendosi të hidhej nga dritarja.
Vajza e çiftit, e cila ndodhej në dhomë kur 45-vjeçarja u hodh, deklaroi se nuk ka pasur asnjë incident dhune nga ana e babait të saj, por vetëm kërcënime.
“Jo, nuk ka pasur dhunë Vetëm një kërcënim nga babai dhe nëna ime u tmerrua. Ne jetonim të gjithë së bashku, por asgjë nuk kishte ndodhur dhe as nuk dinim asgjë më parë. Është një situatë shumë e vështirë për të gjithë ne dhe nëna ime nuk është mirë”, thotë vajza e 45-vjeçares, e cila ndodhet me nënën në spital.
Nga ana e tij, menaxheri i hotelit ku fshihej 45-vjeçarja me vajzat e saj thekson për protothema.gr se gruaja është tmerruar sapo ka mësuar se 49-vjeçari ishte në recepsion duke e kërkuar dhe është hedhur nga kati i 3-të.
“Ai erdhi këtu, në recepsion dhe po e kërkonte, po pyeste për të. Nuk i kishim dhënë asnjë informacion, as përmes telefonit. Mesa duket e ka mësuar nga një i afërm. Dhe sapo gruaja kur e kuptoi se ishte gjetur, ajo u hodh nga dritarja”, shpjegon ai.