“Për ty SHQIPËRI”! Av.Naim Hasani: Pse e pranova ftesën e Lulzim Bashës të kandidojë për Demokratët Euroatlantikë

0
234

Nga Naim Hasani
Të nderuar demokratë kudo që ndodheni, të nderuar qytetarë të qarkut Shkodër dhe bashkatdhetarë kudo që jeni.
Dua të bëj me dije se pas propozimit unanim të strukturave, kam pranuar ftesën për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit i Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, qarku Shkodër!
Falenderoj nga zemra propozuesit dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar që kanë miratuar kandidaturën time si përfaqësuese i diasporës nga Britania e Madhe.
Një besim i tillë më obligon që të bëj më të mirën, krah bashkëqytetarëve të mi, vëllezërve dhe motrave nga Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Fushë-Arrësi, Puka e kryeqendra e veriut dhe djepi i kulturës shqiptare Shkodra.
Të nderuar vëllezër dhe motra, qytetarë të qarkut Shkodër. Personalisht kam qenë një anëtar i thjeshtë, një votues i së djathtës deri në Janar të vitit 2017 kur pas votimi masiv dhe tejet transparent mu besua drejtimi i degës së PD Britania e Madhe, detyrë që e kam ushtruar me përkushtim, pasion dhe patriotizëm.
Ky ka qenë një angazhim personal përveç punës time 20 vjeçare si avokat i Gjykatës Supreme te Anglisë dhe Ëellsit.
Gjatë gjithë këtyre viteve si përfaqësues i drejtësisë më të mirë në botë, asaj Britanike, padyshim kam qenë mburoja dhe përfaqësuesi ligjor i mijëra qytetarëve shqiptarë që u larguan nga Shqipëria për arsye të vjedhjes dhe poshtërimit që u kanë bërë politika e vjetër 34 vjeçare që sot ju kërkon votën juve.
Një politike që u pasurua në kulm me mundin dhe djersën tuaj, duke ju lënë vatrat bosh e braktisur shtëpitë me një shpopullim që asnjë pushtues i huaj nuk e ka bërë deri sot.
Kontributi im, e mbështetja e bashkatdhetarëve të mi në Britani tashmë është shkruar në historinë Britanike të drejtësisë, sidomos me vendimin e paprecedentë të Gjykatës Supreme Britanike në Dhjetor 2017 për kthimin në identitet të shtetasve shqiptarë që kishin kërkuar azil në fundin e viteve 90-të si refugjatë nga Kosova.
Pikërisht për këtë sukses jam nominuar si Avokati më i mirë në Britani në mbrojtje të të drejtave të njeriut për vitin 2018, një përkushtim që vazhdoj me të njëjtin intensitet edhe sot dhe në të ardhmen këtu në Londër.
I jam bashkuar PD i bindur që Lulzim Basha një i ri i shkolluar në perëndim si edhe unë, një i ri vizionar, një drejtues i denjë, një përfaqësues i mirë i Shqipërisë në tavolinat me ndërkombëtarët do të lihej të bënte atë që dinte më mirë dhe jo t’i viheshin shkopinjtë nën rrota për të pamundësuar fitoren e PD siç ndodhi në 2021.
Si një profesionist në Angli, si një garant i zbatimit të ligjit në këtë vend, kam besuar se edhe në Shqipëri kjo do të ndodhte dhe pse jo një ditë të jepja dhe unë kontributin tim në këtë fushë pa pretendime, por me qëllimin për të ndihmuar vendin tim ashtu siç do vazhdoj ta bëj në Britani.
Çfarë ndodhi pas 9 Shtatorit, kur Lulzim Basha pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar fatkeqësisht koha vërtetoi ato që mendoja dhe theksova më lart.
Estabilishmenti në PD kërkonte të ruante ofiqet, karriget e tyre mjaft që të mos prekeshin, pavarësisht se partia ishte në opozitë.
Nga Sali Berisha i pari, e turra e deputetëve që iu bashkuan, vunë interesat personale mbi ato të forcës politike, të demokratëve dhe shqiptarëve. 
Miqtë e mi, ne në bazë jo vetëm ne Shqipëri por edhe këtu në Londër, jemi përballur fatkeqësisht keq me njëri-tjetrin siç ishte dhe rasti i 8 Janarit 2022 një njollë e zezë që gati çoi në vëllavrasje brenda familjes sonë politike, e kjo ndodhi mes nesh që ishim përballë Ramës.
Të shtyrë nga Foltorja, na kanë sharë, fyer, kërcënuar pse nuk donim “padishahun”, e kjo është jo vetëm e turpshme por dhe e frikshme.
E di shumë mirë që pranimin e kandidaturës e kam bërë në një moment të vështirë, sidomos aktualisht kur Rama-Berisha i janë kthyer aleancës hapur duke qenë në muajt e dashurisë se madhe për t’i shpëtuar drejtësisë se SPAK aq të vonuar, por kurrë të harruar.
Është pikërisht kjo që më shtyu ta pranoj këtë propozim duke e konsideruar një nder i madh që më bëhet, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme që më ngarkohet.
Një apel kam veçanërisht për bashkatdhetarët e mi që punojnë dhe jetojnë në Britani të Madhe dhe gjetke në Diasporë:
Le të mblidhemi, organizohemi, shkojmë tek kutitë e votimit dhe në mënyrë demokratike të rrëzojmë tranzicionin në Shqipëri, të zbojmë ata që e kanë mbajtur peng vendin tonë këto 34 vite dhe ndërtojmë bashkë të ardhmen si në vendet ku punojmë dhe jetojmë duke zgjedhur zhvillimin dhe jo rrënimin, ndërtimin e jo vjedhjen e shpopullimin, respektin dhe jo urrejtjen, sundimin e ligjit dhe jo kriminelët e veshur me pushtet, një rini që i del për zot dhe zhvillon Shqipërinë e jo një rini që shikon si mbijetesë vetëm largimin me gomone, pas 34 viteve të së ashtuquajturës demokraci.
Ne mund ta bëjmë vendin tonë, ndaj të mos e humbim këtë shans që na është dhënë.
Treshja politike Rama-Berisha-Meta duhen nxjerrë në pension politik dhe i duhen lënë drejtësisë të japin llogari për gjithçfarë i kanë bërë këtij popull.
Ju ftoj të gjithëve për të votuar më 11 Maj 2025 për të bërë ndryshimin, për të zgjedhur lirinë dhe qytetarinë, për t’u bërë më në fund vërtet votues Evropianë me vepra dhe në mentalitet për një Shqipëri si gjithë Europa, siç e ëndërronte çdo shqiptar i ndershëm në vitin e historisë, 1990.
Bashkëkombës në Britani e kudo jeni, sot keni për herë të parë si diasporë mundësinë të votoni në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.
Regjistrohuni dhe votoni kundër atyre që ju detyruan të largoheni nga toka juaj shekullore.
Votoni për një demokraci funksionale në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britaninë e Madhe.
Unë kërkoj votën e çdo shqiptari të ndershëm që beson se Shqipëria bëhet pavarësisht bindjeve dhe orientimit politik.
Ftoj çdo të zhgënjyer me sistemin kriminal të instaluar në Shqipëri, të votojnë alternativën tonë EuroAtlantike.
Qe zëri juaj të dëgjohet e të mos manipulohet regjistrojuni në linkun e mëposhtëm
https://kqz.gov.al/votues-nga-jashte/
Me shumë respekt e përkushtim Av.Naim Hasan