Dy persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë janë plagosur ditën e sotme (14 shkurt), kur një urë u shemb ndërsa një autobus dhe një automjet tjetër po kalonin mbi të në veri të Perusë.
Aksidenti ndodhi pas mesnate, në urën Chancay, 75 kilometra në veri të kryeqytetit Lima, në autostradën Pan-Amerikane që lidh veriun me qendrën e vendit. Shoferi dhe një pasagjer u nxorën të vdekur nga rrënojat e autobusit, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spital për trajtim.
Ministria e Brendshme e vendit raportoi se më shumë se 50 oficerë policie dhe 100 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.
Autobusi, me të paktën 50 pasagjerë, po udhëtonte drejt qytetit bregdetar të Chibote-s. Sipas autoriteteve, shembja e urës ndodhi për shkak të një defekti strukturor në shtyllën qendrore të saj, e cila është 60 metra e gjatë.