Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar se nga të dhëna dosja e SPAK tregojnë se Ajola Xoxa e quante “të sajën” vilën në Qerret, ku edhe festoi me shoqet ditëlindjen e saj.
Lala deklaroi se Xoxa dhe Veliaj kanë kaluar periudha të gjata në këtë pronë, ndërsa administratori i resortit ka pohuar se mirëmbajtja paguhej prej tyre.
“Driant Zeneli, artist, është pyetur dhe thotë në dëshmi që zonja Xoxa dhe zoti Veliaj, më kanë ftuar në shtëpi në Qerret. E treta, SPAK ka analizuar qelizat telefonike të Veliajt, Arbër Veliajt dhe Xoxës, që rezultojnë për një kohë shumë të gjatë, që telefonat e tyre pulsojnë në vilën dikur nr4 por tashmë nr.5 në këtë resort, që tregon praninë fizike të tyre atje. Së katërti, administratori thotë se shpenzimet për mirëmbajtjen e vilës, i paguante Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj.
Tjetra, Ajola Xoxa u shkruan, ka ditëlindjen dhe do të shkonin shoqet. Ajo shkruan dhe thotë vila ime është ajo atje. Arkitekti që ka bërë arredimin, është i njohur, është pyetur, Ols Eftimi, ka arreduar shtëpinë. Këto janë argumentat që ka përdorur SPAK që prona ka kaluar nga Gentian Sula te Erion Veliaj. Dyshohet se është dhënë në formë rryshfeti në këmbim të punëve në Bashkinë e Tiranës,” tregoi gazetarja.