Departamenti Amerikan i Shtetit ka nxirë sërish Shqipërinë për pastrimin e parave. Ashtu siç ndodh për vit, edhe këtë herë vendi ynë cilësohet si vatër për pastrimin e parave nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Pak ditë më parë, DASH ka publikuar volumin e dytë të raportit për Pastrimin e Parave, ku mes shumë shteteve është dhe Shqipëria. Sipas raportit, për shkak të krimit të lartë dhe korrupsionit, ka prezencë të shtuar të pastrimit të parave.
“Pjesa më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri është e lidhur me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore, mashtrimin me kontratat qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia shqiptare e bazuar kryesisht në para në dorë, kontrollet e dobëta kufitare dhe kontrolli i dobët doganor, lehtësojnë një treg të zi për mallrat kontrabandë. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, kriptomonedhave dhe projekteve të tjera në fushën e biznesit”, thekson raporti.

DASH ka marrë si shembull të pastrimit të parave Sali Berishën. Në raport përmendet fakti i nisjes së hetimeve ndaj tij, teksa sipas amerikanëve, dhëndri i ish-kryeministrit përfitoi 5 mln dollarë nga afera “Partizani”. Po ashtu, përmendet dhe rasti i Lefter Kokës me inceneratorët.
“Në vitin 2023, SPAK ndërmori veprime që përfshinin arrestime dhe sekuestrim të pasurive të ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Në tetor SPAK njoftoi një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion sipas parashikimeve të nenit 7031(c) të Aktit të Ndarjeve të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Përafërta 2021, pasi dhëndri i tij përfitoi afro 5 milionë dollarë. SPAK arrestoi dhëndrin e Berishës për korrupsion dhe pastrim parash dhe sekuestroi pasuritë e tij.

Në tetor gjykatat dënuan ish-ministrin e mjedisit Koka po për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre sepse një kompani i dha atij 1.47 milionë dollarë. Gjykata sekuestroi gjithashtu asete me vlerë 4 milionë dollarë”, theksohet në raport.
Sigurisht ky raport është hartuar nga administrata e Biden, pasi Berisha pretendon se me administratën e Trump do ta ketë ujë muhabetin.
Më tej DASH shprehet se Shqipëria duhet të shtojë hetimet dhe paditë për pastrim parash, si dhe të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. “Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar te korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore të nisur në vitet 2016-2017”, thuhet më tej. /Pamfleti