Presidenti Donald Trump uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë: Kohë për të nderuar arritjet e kaluara dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme

0
109

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Presidenca e Kosovës tha në një njoftim për media se në mesazhin e tij, Trump përgëzoi popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.

Në letrën drejtuar Osmanit, Trump thekon se SHBA mbështet plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ndërsa thekson më tej lidhjen e fortë mes dy popujve.

“Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona”, ka shkruar Trump.

Gjithashtu, presidenti amerikan shprehet se përvjetori i Pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme.

Letra e plotë:

E nderuara zonja Presidente. Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, derisa ajo i forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike nëpërmjet një mjedisi të qëndrueshëm dhe të lirë biznesi.

Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin që vjen. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella ndërmjet kombeve tona. Popullit të Kosovës i dërgoj urimet më të mira në këtë ditë feste.

trump uron kosoven vjosa osmani pavaresia (2)
trump uron kosoven vjosa osmani pavaresia (1)