Berisha kërkoi shkrirjen e SPAK, Kryemadhi e përkrah

0
89

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka dalë sot në mbështetje të kreut të PD, Sali Berisha, i cili pas paraqitjes në SPAK u shpreh se kjo strukturë nuk duhet të ekzistojë pas 11 majit.

Në një prononcim për mediat pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Kryemadhi akuzoi SPAK-un se është kthyer në një mjet shantazhi dhe linçimi politik.

“Nëse e them tani se duhet shkrirë SPAK, do thonë se e them për problemet e mia. Por çdo instrument ligjor, për të cilin kemi votuar me qëllimin për një drejtësi të barabartë, kur kthehet në vegël shantazhimi dhe linçimi, e ka dështuar misionin e tij,” u shpreh Kryemadhi.

Pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, Sali Berisha deklaroi sot se i ka dorëzuar një letër oficerit të policisë gjyqësore, Altin Lalës, ku shprehte qëndrimin e tij mbi procesin dhe situatën politike në vend.

“Në përfundim të paraqitjes, i lashë Altin Lalës letrën që vijon: Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani, që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitë, të monstrës Xhorxh Soros dhe kukullës së tij në Tiranë. Por kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do të ketë në Shqipëri.

Firmosur, Sali Berisha” – deklaroi Berisha para gazetarëve.

Ish-kryeministri e cilësoi veprimin e SPAK-ut si pjesë të një lufte politike kundër opozitës, duke theksuar se qëndrimi i tij mbetet i palëkundur.