Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka bërë një postim në rrjetin e saj social Facebook, për 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“E lirë, e pavarur, sovrane…e përjetshme!”, ka shkruar presidentja krahas fotos nga parada me flamurin e Kosovës.
Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Një sërë organizimesh – nga mbledhja festive e Qeverisë së vendit deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës – priten gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori.
Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.
Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.
Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.