Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Kosovën me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e urimit Rubio thotë se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatshëm. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës, thekson Rubio.
Mesazhi i plotë i Marco Rubio:
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës.
Ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj, ne nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes njerëzve tanë”.
Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Një sërë organizimesh – nga mbledhja festive e Qeverisë së vendit deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës – priten gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori.
Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.
Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.
Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.