Historia e Arda Kurtulan është jo pak e çuditshme. Ndonjëherë në jetë të duhet edhe fati për të shpalosur aftësitë e tua, nuk mjafton vetëm potenciali që ke. Kohë më parë Arda Kurtulan luante me të rinjtë e Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht ishte pjesë e të rinjëve të Fenerbaces, u formua te gjigandët e Turqisë.
Alban Bushi do të pikaste talentin e tij dhe e afroi menjëherë te Shqipëria U-21. Trajneri i Shpresave tona e cilësoi si një futbollist me shumë potencial Kurtulan, por emri i tij u zbeh në mediat shqiptare pasi Fenerbahce e shiti këtë lojtar te Adana Demirspor dhe këta të fundit nuk po e mbanin në ekip, por nisën ta huazonin në nivelet më të ulëta të futbollit në Turqi, në nivelin e tretë.
E teksa u duk se Kurtulan do të humbiste tërësisht, ndodhi e papritura. Adana Demirspor preku fundin, lojtarët nuk po paguheshin dhe mori dënim nga Federata. Në kushte anormale, rikthehu lojtarët e rinj për të mbyllur sezonin në elitë me sadopak nder. Mes tyre ishte edhe Arda Kurtulan, që çuditërisht ka shpërthyer me ekipin më të dobët në elitën e Turqisë.
Shqiptari ka bërë shumë ndeshje fantastike në këtë sezon dhe për mediat turke, është një prej mbrojtësave të djathtë më të mirë të kampionatit. Një vlerë që shtohet akoma më shumë për faktin se gjithë performanca mbreslënëse po vjen me një ekip që nuk ka më asnjë motiv për të luftuar, por sërish Kurtulan po bën diferencën.
Ky ishte një lajm i mirë për tifozët shqiptarë pasi Shqipëria po vuan në krahun e djathtë të mbrojtjes, atje ku alternativa e vetme për momentin janë Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu. Por teksa pritej që Kurtulan të shfaqej në listën e Silvinjos për ndeshjet e marsit, një lajm i papritur vjen nga Turqia.
Mediat turke kanë zbuluar se Maqedonia e Veriut i ka dërguar një ftesë Kurtulan për të qenë pjesë e ekipit A në ndeshjet e radhës. Lojtari nuk i ka kthyer ende një përgjigje Maqedonisë së Veriut, por nëse ftesa e Silvinjos do të mungojë për të, ekzistojnë shumë gjasat që të largohet dhe të mos jetë pjesë e Shqipërisë.