Policia e Kosovës ka ndaluar 12 persona në Mitrovicën e Veriut, 10 prej tyre të mitur, të cilët po festonin me flamuj kuqezi. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, ka thënë për “KOHËN” se personat janë arrestuar për drejtim të mjetit pa patentë apo për tejkalim të numrit të pasagjerëve brenda në makinë. Elshani ka thënë se me të hyrë në Mitrovicën e Veriut të rinjtë ishin sulmuar me gurë nga disa qytetarë serbë. “Janë ndaluar 12 persona, 10 të mitur, të cilët dyshohet se me flamuj shqiptarë kanë hyrë në Mitrovicë të Veriut. Dyshohet se disa serbë më pas i kanë sulmuar me gurë. I kemi ndalur dy makina, në njërën kanë qenë pesë të mitur e në tjetër kanë qenë shtatë persona. Ende nuk ka ndonjë vepër, përveç për mungesë patentë shoferit e kundërvajtje në trafik”, ka thënë Elshani. Elshani ka thënë se janë angazhuar në veri që të mos ketë provokime me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.