Mënyra si po bëhen Primaret në Partinë Demokratike, duket se ka lënë shumë të pakënaqur. Pas largimit të deputetit Helidon Bushati, edhe anëtari i kryesisë së PD dhe Sekretar për Diasporën, Indrit Hoxha ka vendoset të tërhiqet.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoxha shkruan se pas një reflektimi të thellë ndaj misionit të përbashkët, ka vendosur të mos jetë pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet.
Pak orë më parë hoqi dorë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati. Në llogarinë e tij në “Facebook”, demokrati ka bërë me dije se ka vendosur që të mos bëhet pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe jetik për forcën politike ku dhe ai bën pjesë dhe si rrjedhojë ka hequr dorë nga aspiratat për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit.
Postimi i Indrit Hoxhës në Facebook:
“Të nderuar anëtarë, mbështetës dhe demokratë të palëkundur,
Pas një reflektimi të thellë dhe me përgjegjësinë më të madhe ndaj jush dhe ndaj misionit tonë të përbashkët, kam vendosur që të mos jem pjesë e garës në primaret për kandidatët për deputet. Ky nuk është një tërheqje, por një angazhim i ri për të forcuar Partinë Demokratike dhe për të mbështetur çdo përpjekje që na çon drejt fitores.
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë. Pas viteve të një keqqeverisjeje të lodhshme dhe të korruptuar, është koha për një rotacion politik që do t’u rikthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin tek institucionet. Ky ndryshim nuk do të vijë vetë – ai kërkon sakrificë, përkushtim dhe angazhim nga çdo demokrat dhe çdo qytetar që e do këtë vend.
Nuk ka më vend për qëndrime pasive. Është detyra jonë që me vullnet dhe vendosmëri të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin. Çdo përpjekje, çdo angazhim, çdo sakrificë është një hap drejt një Shqipërie të lirë nga korrupsioni dhe padrejtësitë.
Unë mbetem i përkushtuar, krah jush, në këtë rrugëtim. Ftoj çdo demokrat të ngrihet, të angazhohet dhe të japë kontributin e tij për triumfin e Partisë Demokratike dhe për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë.
Koha për ndryshim është tani. Rotacioni politik nuk është thjesht një mundësi – është një domosdoshmëri për Shqipërinë. Përpara për fitoren e Partisë Demokratike! Përpara për të ardhmen e Shqipërisë!”.