Personi që shihni në fotot e mëposhtme, është 28-vjeçari Gëzim Muçaj, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik të regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, rreth orës 05:05, në autostradën “Tiranë-Durrës”.
Viktima ishte drjetues i një fugoni që fillimisht u përplas me trafikndarësen. Pas aksidentit, 28-vjeçari së bashku me tre pasagjerët në mjet, Eduart Ripa, Ervin Qira dhe Shkëlqim Doçi, dolën në rrugë për të parë dëmet që i ishin shkaktuar fugonit. Gjatë kohës që po qëndronin në rrugë, ata janë përplasur nga automjeti që drejtohej nga shtetasi Ismail Laçe.
Si pasojë e aksidentit të dytë, Gëzim Muçaj, humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa 3 pasagjerët mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë në spitalin e Traumës.
Viktima dhe tre të plagosurit në momentin e aksidentit po shkonin në punë. Gëzim Muçaj ishte nga Zall Bastari dhe punonte me mjetet e tonazhit të rëndë.
Ai kishte lindur pas 6 motrave dhe për këtë gëzim të madh që i solli familjes Muçaj, prindërit ia kishin vendosur emrin Gëzim.
I riu jetonte në Kamëz dhe më parë ka punuar edhe si faturino për autobusët e kësaj linje.
Policia raportoi se shoferi Ismail Laçe është shoqëruar në Komisariat, ndërsa grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.



