Nga Bujar Vreto
Zëri i Librazhdit në Parlament!
Unë, djali i thjeshtë i trevave të Bërzeshtës, nip i atyre të Çermenikës, i rritur në qytetin e bukur të Librazhdit, kam fatin të jem gjeografikisht me babë “toskë” dhe nënë “gegë”, me Shkumbinin si kufi, dhe unë djali i tyre i shkrirë mes dy kulturave. Vi nga dy familje fisnikësh që kanë dhënë kontribut për trevat e tyre, atdhenë dhe brezat. Kam jetuar, jam rritur dhe formuar këtu, i martuar, me tre fëmijë të mrekullueshëm dhe pa u larguar asnjëherë nga qyteti im i dashur. Për mua, Librazhdi është më shumë se një qytet – është zemra që rreh dhe i pandarë me Prrenjasin, me Stëblevën, Lunikun dhe Stravaj, me Orenjën dhe Polisin, me Qendrën dhe Quksin, me Rrajcën dhe Hotolishtin dhe qarkun e Elbasanit. Këtu, në këtë hapësirë të shenjtë, jam rritur dhe besoj fort që mund ti japim një forcë të re zhvillimit të rrethit dhe gjithë rajonit. Me një angazhim të palodhur dhe një vizion të qartë, dua të kontribuoj për një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët e kësaj treve. Ajo që ofroj është një angazhim tërësor, një besim të patundur dhe një betejë të drejtpërdrejtë për të sjellë ndryshimin që ka nevojë vendi ynë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025, unë do të jem aty për të luftuar për fitore për çdo votë dhe për t’i dhënë çdo qytetari një shpresë të re për të ardhmen. Jam i angazhuar dhe i dedikuar për komunitetin tim, prandaj duke marrë në konsideratë propozimet, nxitjen dhe dëshirën tuaj, por dhe listat e hapura 100% (votohet emri im) vendosa të kandidoj për deputet i rrethit të Librazhdit dhe qarkut të Elbasanit, tashmë i miratuar dhe zyrtarisht me votë unanime nga këshilli kombëtar i PDSH (euroatlantike). Është një hap i natyrshëm për mua, pas 34 vitesh angazhim i palodhur si kontribues, drejtues i Partisë Demokratike dhe një pjesëtar i përkushtuar i shoqërisë. Duke kërkuar përfaqësimin tuaj në Kuvend, unë ofroj veten si një njeri i mirë arsimuar, që jam dhe do mbetem gjithmonë pranë jush, një njeri që jeton dhe udhëton përditë me ju, dhe që e ka për detyrë t’ju sjellë zërin dhe shqetësimet tuaja në nivel më të lartë të përfaqësimit kombëtar, “parlament”.
Pse kandidoj:
1- Jam, një njeri mes jush, një njeri për ju!
Nuk ka asnjë ndarje mes meje dhe jush. Kam zgjedhur të qëndroj këtu, me ju, dhe nuk do të largohem asnjëherë nga Librazhdi për të shkuar në Tiranë dhe të kthehem si një kaposh para jush. Jam njeriu që përshëndetem çdo ditë me secilin prej banorëve: mëngjes, drekë dhe darkë, në telefon, në WhatsApp, Viber, SMS, Messenger, pa asnjë paragjykim i djathtë apo i majtë i varfër apo i pasur. Ky është angazhimi im i përditshëm – të jem mes jush dhe të ndajmë bashkë hallet dhe gëzimet.
2- Njoh mirë problemet dhe shqetësimet tuaja
Kam jetuar gjithmonë pranë dhe me ju dhe i di mirë çdo hall e problematikë që keni dhe përballoni. E di se si është jeta në lagje, në fshatra, në qytet dhe çdo cep të rrethit tonë. Kam dëgjuar me vëmendje çdo shqetësim tuajin, qoftë për infrastrukturën rrugore, shkollat, spitalet, qendrat shëndetësore, bujqësinë dhe blegtorinë. Problemet që hasni çdo ditë, si vështirësitë me sistemin vaditës, furnizimin me ujë të pijshëm, energjinë elektrike apo vështirësitë me bletarinë, vreshtarinë, agroturizmin dhe turizmin malor, është gjithçka e njohur për mua.
3- Një plan zhvillimi tërësor për rrethin e Librazhdit.
Rrethi i Librazhdit ka një popullsi të shkëlqyer, një reliev të bukur malor dhe kodrinor, dhe mundësi të panumërta për zhvillim. Për të garantuar një të ardhme të sigurt për të rinjtë, është e domosdoshme që të hartohet një plan zhvillimi i qëndrueshëm dhe tërësor nga intelektualë të fushave të ndryshme që për fatin e mirë kemi. Ky plan do të mundësojë ndalimin e braktisjes së vendit dhe kthimin e djemve dhe vajzave që të investojnë në pronat e tyre dhe të krijojnë mundësi për një të ardhme më të mirë. Kjo kërkon dokumentacion të thjeshtuar, subvencione për fermerët dhe taksa të ulta për të stimuluar investimet në këtë zonë të mrekullueshme.
4- Zëri juaj në parlament.
Nëse më jepni mundësinë të përfaqësoj interesat tuaja në Kuvend, do të jem zëri juaj i pandërprerë. Nuk do të hezitoj të ngre çdo shqetësim dhe të luftoj për të drejtat tuaja, qoftë për çështje, infrastrukturore, qoftë për ndihmë në fushën ekonomike, sociale apo kulturore. Në çdo hap të rrugës do të jem aty, duke e ngritur çdo çështje dhe duke e bërë kumbuese foltoren në parlament, për të siguruar që askush të mos mbyllë sytë ndaj problemeve që përballoni çdo ditë.
5- Një deputet i besueshëm, i ndershëm dhe afër jush.
Garantoj se do të keni një deputet që është gjithmonë i hapur për ju, një mik dhe shok që do të mbetet i lidhur me ju, pa asnjë barrierë. Telefoni im do të jetë gjithmonë i hapur, 24 orë në ditë, dhe do të jem pranë jush në çdo moment të vështirë, si dhe në momentet e gëzuara. Do të jem një njeri i përulur, i ndarë nga të korruptuarit, e kaluara dhe i gatshëm të mbështes çdo përpjekje për drejtësi. Mbështetës i SPAK-ut dhe i angazhuar në luftën kundër korrupsionit, do të luftoj për një shoqëri më të drejtë dhe të ndershme.
Përfundimisht, angazhimi im është që të mos largohem asnjëherë nga Librazhdi. Të mos bëj premtime boshe, por angazhime të vërteta dhe të realizueshme. Do të jem një zë i fortë në parlament për çdo njeri që ka nevojë për mbështetje, për çdo komunitet që ka nevojë për zhvillim dhe për çdo fshat që ka nevojë për investime.
Për Një Të Ardhme Më Të Mirë – Angazhimi Im Për Zhvillimin e Librazhdit dhe Prrenjasit