Larg duart nga pasuritë e Tragjasit se nuk ua fal Labi këtë

0
84

Fjala e Bujar Leskajt në Kuvend, më 17 shkurt 2025: Për Tragjasin …

Unë e ndiej detyrim qytetar, detyrim krahinor, që në këtë sallë të nderuar, në prezencë të Kryetares, të një ministri të qeverisë, në prezencë të deputetëve dhe drejtuesve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të denoncoj tentativën më të fundit, që sekti Rama po bën në Vlorë, në një fshat historik, siç është fshati Tragjas, për të grabitur pasurinë e fshatit, për të grabitur ujin e pijshëm.
Ujin e fshatit Tragjas, me papërgjegjshmërinë më të madhe, arrogancë, duan t’a përcjellin në rezortet e oligarkëve në Dhërmi dhe Himarë, mbasi nuk arritën t’a merrnin nga Orikumi apo Lumi Vlorës.
Mbasi e keni lënë Tragjasin, këtë fshat me histori në hije të plotë, pa asnjë investim infrastrukturor, në këto 10 vite të qeverisjes socialiste, ku ende mungon energjia elektrike; rrugët të shtruara qysh përpara 12 viteve, kur Kryetari I Bashkisë së Orikumit ishte nga Partia Demokratike, mungon ndriçimi, mungojnë shërbimet publike. Karshillëku I sektit Rama bën që me arrogancë t’I marrin ujin, I cili është jetik për ekonominë, jetën e kësaj zone, për turizmin që duan të ndërtojnë ata banorë të mençur dhe punëtorë të Tragjasit.

Ky projekt është jo vetëm një krim mjedisor e social por është një goditje me regji ndaj ekonomisë së banorëve të Tragjasit, Radhimës, Orikumit, Dukatit.

Projektet e marrjes së ujit nga burimet e ujit të krahinës së Labërisë me qëllim furnizimin e ndërtimeve të oligarkëve të Edi Ramës, të cilët janë të lidhur me këtë të fundit me fije të dukshme e të padukshme përbën një akt të rëndë që cënon interesat e banorëve të kësaj krahine.

Ky projekt cënon jo vetëm interesat e banorëve të Tragjasit, por edhe interesat e banorëve të Orikumit, këtij qyteti mijëra vjeçarë dhe Radhimës, këto zona me potenciale të larta turistike.

Këto nuk janë projekte, këto janë abuzime të mirëfillta, janë politika antikombëtare, me të cilat Edi Rama kërkon t’i bëj karshillëk interesit qytetar, duke shkelur çdo të drejtë të ligjshme të banorëve të ndershëm, trima dhe të mençur të këtyre zonave.

Pse e theksoj këtë “banorëve trima dhe të mençur të këtyre zonave”?!

Tragjasi, ashtu si dhe Dukati, janë fshatra me shumë histori.

Por nëse Dukati është një fshat që gjatë Luftës së Dytë Botërore, një fshat nacionalist, I pozicionuar qartazi në krahun e nacionalizmit, në Tragjas krahas bazës nacionaliste ka qenë fortë dhe një bazë e fortë e lëvizjes së majtë (lëvizjes komuniste të asaj kohe).

Dhe qysh në vitin 1942 dhe deri sa Enver Hoxha dha shpirtin si Djalli I Zi që ishte, Enver Hoxha e urrente Tragjasin por ama kishte frikë nga Tragjasi.

Edi Rama e urren Tragjasin njësoj si Enver Hoxha, por Rama ngaqë nuk e njeh mirë historinë nuk ka frikë nga Tragjasi.

Çfarë I ka bërë Enver Hoxha Tragjasit, se Tragjasi është fshati I heronjve dhe I dëshmorëve?

Tragjasi ka 36 dëshmorë dhe 4 heronjë të Luftës së DytëBotërore që ishin të rreshtuar me forcat e majta. Ka eksponentë të nacionalizmit në qytetin e Vlorës dhe në Labëri.

Të famshmin fraksion në ’43, Enver Hoxha e fitoi mbasi morri me vete Vehbi Hoxhën (nga Tërbaçi) dhe gjithë Tragjasin, trimat e Tragjasit, por ama nuk ua harroi kurrë këtë dhe qysh gjatë luftës filloi me intriga, duke vrarë djemtë trima të majtë të Tragjasit nga fiset Çakërri dhe Muço. Nga këto fise ka dëshmorë, që dhanë jetën për liri, por Enver Hoxha i vrau me makinacionet e tija.

Vrau ne ’47 Sinan Gjonin, I cili ne ’41 ishte Sekretar Politik i Komitetit Qarkor të Vlorës.

Sinan Gjonin e spiunuan ne ’42 komunistët dhe e internuan ne Ventotene në Itali. Kur u kthye në ‘44-’45 nga aleatët në Shqipëri, komunistët e quajtën agjent të anglo-amerikanëve dhe në ’47-’48 e vranë.

Është histori tragjike e këtij personaliteti të Tragjasit.

Mbasi e vranë, Enver Hoxha lëshoi një letër: ”Faleni Sinan Gjonin” dhe e faturoi sikur e vrau Koçi Xoxe. I ati I Sinan Gjonit, një burrë fisnik dhe i mençur I zonës Islam Gjoni gjithmonë ka qenë i vetdijshëm për këtë, dhe e mbajti peng gjithë jetën, por për të mbrojtur fisin e gjithë Tragjasin ai nuk doli kundër diktaturës. Labët janë trima, të zgjuar, por janë edhetë urtë, fisnikë.

Nga ana tjetër, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Azbiu kanë vrarë Sali Ormënin (Komandant Taborin) i cili është plagosur tre herë gjatë Luftës, komandant batalioni partizan, ish-Zëvëndës Ministër i Brendshëm, Drejtor i Policisë, e vranë me një sërë makinacionesh.

Enver Hoxha i vriste dhe i qante tragjasiotët, se kishte frikë.

Unë ju them juve socialistë të sektit Rama, se duhet të keni frikë nga Tragjasi, duhet të keni super frikë nga Dukati, kjo zonë nacionaliste, nga gjithë banorët e Orikumit, Tragjasit, Radhimës, Dukatit dhe të Lumit të Vlorës, kur ju doni t’I grabisni pasurinë nëntokësore, t’i grabisni ujin.

Nuk ua fal Labi këtë, pavarësisht sa të politizuar mund të jenë !

Nga Tragjasi, nga kjo zonë, kanë pasur frikë të parët tuaj, duhet të keni frikë dhe ju !

Larg duart nga pasuritë e Tragjasit se Tragjasi nuk të fal, Tragjasi do ju djegi politikisht !