Policia ka nisur një aksion blic në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Aksioni policor mësohet se ka nisur rreth orës 05:30 dhe dyshohet se ka lidhje me masakrën e Dobraçit.
Raportohet se forcat RENEA kanë zbarkuar në banesën e Safet Bajrit dhe pritet shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje nga policia.
Ende nuk ka informacion nëse ka persona të tjerë të arrestuar apo shoqëruar.
Kujtojmë se në masakrën në Dobraç më 30 tetor, humbën jetën katër persona, mes tyre dy qytetarë të pafajshëm, çifti Flutura dhe Bashkim Basha.
Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posçme (SPAK), për shkak se ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
ATENTATI
Në masakrën e Shkodrës, më 30 Tetor, humbën jetën 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha.
Ngjarja rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).
Pasi mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët, devijoi nga rruga dhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Basha.
Nga përplasja gruaja, Flutura Basha gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha humbu jetën pas disa ditësh në intubim në spitalin e Shkodrës.
Mësohet se autorët e ngjarjes kanë realizuar me detaje atentatin në Dobraç me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Aq sa dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme për hetuesit.
Përdorimi i acidit është bërë për të shkatërruar numrin e shasisë të makinës dhe elementeve të tjerë identifikues.
Makina “Range Rover” , qe dyshohet se u perdor nga autoret rezulton e vjedhur ne Durrës me 17 Prill te ketij viti. Raportohet se mjeti eshte vjedhur ne lagjen 12 dhe ka qene pronari ne ate kohe qe beri denoncim ne policinë e Durresit.
Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas krahasimit qe i është bere numrit te shasisë, ne automjetin qe u djeg ne fshatin Golem.
******
Prapaskenat e atentatit në Dobraç
Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur prapaskenat e atentatit në Dobraç të Shkodrës, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy qytetarë të pafajshëm.
Ashtu siç kuptohet edhe nga dosja ‘Metamorfoza’, Ibrahim Lici kërkohej me çdo kusht për t’u vrarë.
Nga ku del se grupi kriminal ‘Bajri’ po planifikonte për të vrarë Ibrahim Licin, Dorjan Dulin, si dhe një njeri të besuar të tij.
Bisedat në Sky Ecc
Asmer Bilali duke qenë lidhje e ngushtë e Behar Bajrit ka pasur rolin e organizimit të kushteve të vrasjes së shtetasit Ibrahim Lici.
Të cilin e shikon me përparësi dhe më pas ofron dhënien ndihmë për vrasjen e shtetasit Dorian Duli, për të cilin interesohet Behar Bajri
2020
Asmer Bilali
Ibrahimin e kanë parë në jug këto ditë, te hoteli i një shokut të Bardhokut
Ia kishin treguar këtij shokut hotelin, por e kishte harruar emrin.
Behar Bajri
Dihet që rri me ta, po ku fiks?
Asmer Bilali
Po e marr vesh se ku fiks dhe po të them se me kë ka qenë.
Se më thanë me një mik të Bardhokit, por emrin ia kishin harruar.
Të gjitha gjasat janë që Ibrahim Lici të kërkojë azil politik me arsyetimin që ka qenë në shënjestër për t’u vrarë. Ndërsa ofrimi i statusit të penduarit në Shqipëri mund të zbardhë shumë ngjarje kriminale të mbetura të pazbardhura në Shkodër.
Fillimi i një hakmarrje që vetëm fundi nuk i dihet se ku do të jetë….
Ndërkohë që një detaj i errët që mbetet edhe ky për t’u zbardhur është plumbi i vetëm që qëlloi Arlind Bushatin në makinë.
Nga erdhi ky plumb dhe kush e shkrepi armën….
Dhe e kujt ishte arma e tretë në makinë?!!
*****
Misteri rreth vëllait të viktimës
Por pyetja është nëse në makinën ndaj të cilës u qëllua me plumba ndodhej ose jo një person i tretë dhe nëse po, a i ishte ai Ibrahim Lici, pra vëllai i Hamzait?
Në pamjet filmike në vendngjarje pak sekonda më pas u shfaq me duar dhe fytyrë të gjakosur një person, që dyshohet se ishte Ibrahim Lici.
Por pse policia ruan ende edhe sot dyshimin se personi në fjalë, që në dukje shfaqet i tronditur, është pikërisht personazhi i rrezikshëm i krimit në Shkodër, që në fakt deri në këtë pritë, mendohej se ndodhej i ndaluar në Turqi, pas një urdhër kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Tirana, si i dyshuar në vrasjen e Endri Mustafës.
Ngjarje kjo e ndodhur më 16 Maj të vitit 2021 në zonën e Livadheve në Shkodër. Krim të cilin Ibrahim Lici nuk e ka pranuar kurrë, por e ka cilësuar si një kurth të ngritur ndaj tij nga Asmer Bilali në bashkëpunim me Bajrët.
Po nëse në të vërtetë ky person është Ibrahim Lici, si mundi ai të çajë gardhin e policisë, që në këtë moment kishte rrethuar skenën e krimit.
A mbeti ai i plagosur gjatë këtij atentati, apo thjesht këto hamendësime e shtojnë edhe më shumë mjegullnajën rreth misterit të personit të tretë që sot është kthyer në një fantazmë në kërkim të tij.
Dosja Hetimore
Nga kqyrja e pamjeve filmike shikohet një person me kostum sportiv i veshur me të zeza, i cili afrohet te punonjësit e policisë ‘Shqiponja’, i cili dyshohet se është personi në kërkim shtetasi Ibrahim Mustafa Lici.
Personi i dyshuar shikohet teksa qëndron midis dy punonjësve të policisë ‘Shqiponja’. Dhe po kështu vihet re teksa largohet nga policët. Por edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ky krim i rëndë, policia dhe grupi hetues pavarësisht dyshimeve të tyre, janë ende të paqartë mbi atë që është personi enigmatik në vendngjarje. Që nëse nuk do të ishte Ibrahim Lici, duhet të ketë të paktën një emër.
Dhe nëse e ka një të tillë, me siguri për të sqaruar edhe pozicionin e tij, do ishte paraqitur vetë në polici. Gjë që në fakt nuk e ka bërë deri më tani. Çka ka shtuar edhe më shumë spekulimet rreth identitetit të tij të vërtetë. Një bela tanimë të cilën po e vuajnë vetë policët që ishin të pranishëm atë ditë në vendin e krimit.
Të cilët sot janë të pezulluar nga detyra, për faktin që nuk pikasën dhe nuk ndaluan personin në video të dyshuar si Ibrahim Lici.
Dosja Hetimore
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 30 tetor 2024 në orën 15:45 në aksin rrugor Koplik-Shkodër në fshatin Dobraç, në vendin e ngjarjes shikohet një person i gjakosur pranë viktimës Hamza Lici.
I cili ndërkohë merr kontakt me punonjësit e policisë të grupit të gatshëm ‘Shqiponja’, Drejtoria Vendore Shkodër.
Më tej ky person shikohet teksa largohet dhe nuk dihet ku ka shkuar. Për këtë arsye në kundërshtim me detyrimet ligjore, qoftë në cilësinë e të dyshuarit, personit të përfshirë në ngjarje, apo të dëshmitarit, ky person duhet të ishte shoqëruar apo ndaluar nga ana e punonjësve të policisë, por ata nuk kanë vepruar.
Por ky person është larguar dhe nuk dihet ku ka shkuar dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore, qoftë ne cilësinë e të dyshuarit, përsonit të përshirë në ngjarje apo dëshmitarit të ngjarjes, duhet të ishte shoqëruar apo ndaluar nga ana e punonjësve të policisë, gjë për të cilën ata nuk kanë vepruar.
Por çfarë thanë efektivët e policisë të pranishëm në vendngjarje për personin e dyshimtë që tashmë u ka krijuar boll telashe.
A mundeshin ata në atë zallamahi të krijuar, të identifikonin apo jo, personin për të cilin edhe sot ka dyshime nëse është apo jo Ibrahim Lici.
Si duhet të vepronin ata një rast të tillë dhe cila është shkelja që kanë kryer, e cila në vazhdim mund t’u penalizojë edhe karrierën.
Blerim Kurmekaj Oficer policie
Më datë 30 Tetor 2024 unë kam qenë i planifikuar me shërbim në qytet nga ora 14.00 deri në orën 22:00.
Rreth orës 15:45 dëgjova në radio sallën e komandimit duke u bërë thirrje shërbimeve të qarkullimit rrugor që të afrohem tek ish-SMT pasi ka ndodhur një aksident i rëndë.
Pasi zbritëm nga makina, në vendngjarje ne vumë re një automjet Mercedes Benz me targa të huaja, i dalë nga rruga, i përplasur në një shtyllë betoni ku të jepte përshtypjen e një aksidenti.
Dhe pas këtij mjeti një person të shtrirë të seksit mashkull si dhe disa persona të tjerë rreth tij, që po mundoheshin t’i jepnin ndihmën e parë.
Duke shikuar ‘Benz’-in konstatuam se në automjet kishte shenja të përdorimit të armës së zjarrit. Ne jemi munduar t’u vinim në ndihmë të dëmtuarve, dhe për pasojë nuk kemi shoqëruar asnjë person në polici nga vendi i ngjarjes.
Lidhur mbi personin e gjakosur në duar dhe fytyrë, ne menduam mos ishte aty për t’i dhënë ndihmë personave të dëmtuar.
Por interesante në këtë dëshmi të oficerit të policisë është mënyra se si personi i gjakosur u largua nga vendi i ngjarjes. Një aspekt ky i paqartë edhe sot. Ku punonjësi i policisë thotë se personazhi enigmatik mund të jetë larguar edhe me autoambulancë.
Por ky mbetet thjesht një dyshim i tij, pasi deri më tani kjo gjë mbetet e pavërtetuar.
Blerim Kurmekaj
Pas transportimit të personit të parë në autoambulancë, që ishte në tokë afër mjetit, ky person nuk është konstatuar më tek vendi i ngjarjes.
Unë mendoj se ky person mund të jetë larguar në këmbë ose me ambulancën që ka marrë personin e parë.
Të njëjtin version para grupit hetues dhanë edhe punonjësit e tjerë të policisë të pranishëm në vendin e krimit në masakrën e Dobraçit.
Ndërsa shumë pikëpyetje vazhdojnë të mbulojnë misterin e personazhit të pazbuluar.
Nëse ai është Ibrahim Lici, si hyri ai në territorin shqiptar, atë ditë të masakrës së ndodhur në fshatin Dobraç?
A ka kryer ai ndërhyrje kirurgjikale dhe si është e mundur që në makinën e viktimave nuk u gjetën gjurmë të tijat?
Kush i nxorri në pritë dhe a u tradhtuan nga brenda radhëve të tyre?
Nëse personazhi misterioz që shfaqet në pamje filmike është Ibrahim Lici, si mundi ai të largohet nga Turqia ku ishte i ndaluar dhe të futet në Shqipëri pa u diktuar?
A kanë marrë informacion autoritetet ligjzbatuese shqiptare nga ato turke mbi praninë ose jo të Licit në vendin e tij të ndalimit?
Po nëse është e vërtetë që Ibrahim Lici është personi në pamje filmike dhe ai mbeti i plagosur në atentatin e Dobraçit, kush e ndihmoi atë të kurohej?
Dhe ku ndodhet ai sot?
Në Shkodër apo është larguar sërish nga Shqipëria?!
Shumë pikëpyetje të cilat në fakt i ka ngritur edhe vetë heshtja e Ibrahim Licit dhe familjes së tij.
Heshtje që duket sikur miraton zërat se është ai pikërisht personazhi që shfaqet dhe zhduket nga pamjet e Masakrës së fshatit Dobraç.
Një sekëlldi e pambarimtë gjaku midis fisit Lici dhe atij Bajri që mbiu në sipërfaqe më 13 Janar 2018.
Dita kur në qytetin e Shkodrës, iu vendos tritol biznesmenit
Lulzim Kulla
I cili mbeti i plagosur rëndë, bashkë me 8 qytetarë që nuk kishin lidhje me ngjarjen. Kulla që është dhëndër te Licët.
Atentat që duket se shërbeu për hapjen e kutisë që do të ndillte të keqen në vazhdim në Shkodër. Koha kur në qytet u kryen dhjetëra vrasje, ende edhe sot të pazbardhura. Sa në njërin krah ashtu dhe në tjetrin. Ku në këtë sherrnajë të përgjakshme u përfshi edhe familja Bilali.
Si edhe personazhi më kontrovers i saj. Asmer Bilali, dikur një ish-boksier që premtonte një karrierë të suksesshme në ring. Por që nga burgu ku ndodhej pasi u arrestua në kuadër të operacionit OAZ, pa t’i vriteshin babai dhe xhaxhai i tij.
Dhe që nga ajo kohë Ibrahim Lici dhe miqtë e tij do të ktheheshin ndër pretë më të preferuara nga kundërshtarët.