Teknologjia e re përmirëson ndjeshëm jetën e pacientëve me Parkinson

0
20

Mjekët thonë se një teknologji e re mund të përmirësojë ndjeshëm jetën e pacientëve me sëmundjen Parkinson.

Ata thonë se teknologjia e re mundet të gjurmojë me saktësi aktivitetin e trurit të pacientit dhe të dërgojë në kohë reale stimulimin elektrik të nevojshëm për të ndalur lëvizjet dhe dridhjet e pavullnetshme.

Eric van Breda nga Roterdami është ndër pacientët e parë me Parkinson që përfiton nga një përditësim i programit për një pajisje stimulimi të thellë të vendosur brenda trurit, që premton përfitime për përmirësimin e cilësisë së jetës.

Zoti Van Breda ishte vetëm 38 vjeç kur u diagnostikua rreth dhjetë vite më parë dhe ndjeu se po i shembej e gjithë jeta.

“Filloi me vështirësinë për të shtypur në kompjuter dhe duke qenë se gruaja ime është neurologe, shumë shpejt zbuluam se ishte sëmundja e Parkinsonit. Shkova tek një neurolog, bëra një skaner dhe e mora diagnozën brenda dy javëve. Në vazhdim u rrënua e gjithë jeta ime, jo për shkak të simptomave, por perspektivës së tillë (me sëmundjen Parkinson)”, thotë zoti Van Breda.

Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga humbja e qelizave nervore në tru. Janë këto qeliza që prodhojnë dopaminën, e cila vepron si një ndërmjetëse mes trurit dhe sistemit nervor, që ndihmon në kontrollin dhe koordinimin e lëvizjeve të trupit.

Kur qelizat vdesin, pacientët bëhen gjithnjë e më të paaftë për të kontrolluar lëvizjet e tyre. Përveç dridhjeve dhe problemeve të ekuilibrit, pacientët mund të kenë gjithashtu dhimbje nervore, marrje mendsh dhe probleme me gëlltitjen.

Në fakt, ajo që po ndodh me zotin van Breda është një përditësim i programit kompjuterik. Ai është ndër 108 pacientët që janë pjesë e një programi pilot, të cilëve u është vendosur tashmë brenda trurit të tyre pajisja me një version më të vjetër të programit për stimulimin e thellë të trurit.

Teknologjia realisht ka ekzistuar prej tre dekadash.

Një nga mjekët që marrin pjesë në këto prova klinike është Dr. Martijn Beudel, neurokirurg në Qendrat Mjekësore Universitare të Amsterdamit.

“Pra, stimulimi i thellë i trurit është një terapi që praktikohet tashmë. Neurokirurgu vendos sonda thellë në tru, të cilat janë të lidhura nëpërmjet një teli me gjeneratorin e rrymës, i cili ofron impulse që sjellin përmirësime dramatike të problemeve të lëvizjes tek pacientët me sëmundjen e Parkinsonit”, thotë Dr. Beudel.

Sipas tij, pacientët do të përjetojnë përmirësime të rëndësishme sepse programi i ri është në gjendje të gjurmojë se si pacienti po i përgjigjet sasisë së stimulimit që i jepet, që në vetvete mund të shkaktojë komplikime të tjera për pacientët.

“Pra, me këtë formë të re stimulimi, mund ta përshtasim terapinë bazuar tek nevojat aktuale të pacientëve. Si e bëjmë këtë? Tashmë jemi në gjendje të regjistrojmë aktivitetin nervor nga implantet që më parë ishin vetëm në gjendje të stimulonin. Ky aktivitet nervor na tregon diçka për ashpërsinë e simptomave dhe kjo na bën të aftë të kontrollojmë stimulimin bazuar tek nevojat e pacientëve”, thotë Dr. Beudel.

Neurologu thotë se në provat klinike, pacientët ishin në gjendje të lëviznin më lirshëm dhe më shpejt, sepse programi i përgjigjet pacientit në kohë reale.

Kur bie efikasiteti i ilaçeve që përdoren për të ndihmuar në kontrollin e dridhjeve, mjekët mund të marrin në konsideratë stimulimin e thellë të trurit.

Kur simptomat e tij u bënë më të rënda, zoti van Breda vendosi se stimulimi ishte e vetmja zgjidhje.

“Parkinsoni përparoi mjaft shpejt. M’u desh të merrja gjithnjë e më shumë ilaçe, deri në një pikë ku efektet anësore ishin aq të tmerrshme sa nuk mund ta përballoja më mjekimin. Pra, arriti në një pikë që isha i stresuar. Stimulohesh, por në të njëjtën kohë, të bën të ndihesh i stresuar. Kisha pra vështirësi për të fjetur, vështirësi për t’u ngritur nga shtrati. Të gjitha llojet e vështirësive të paparashikueshme”, thotë ai.

Miratimi nga autoritetet rregullatore të BE-së do të mundësojë që ekipet e specializuara mjekësore të mund të fillojnë përditësimin e programit për shumë pacientë të tjerë. Në vazhdim ky trajtim do të ofrohet falas për pacientët në Britani dhe pas publikimit të rezultateve të provave klinike, do të paraqitet kërkesa edhe për miratimin në Shtetet e Bashkuara./VOA