A mund të injorohet Britania e Madhe nga Shtetet e Bashkuara?

0
70


Nga Erl Kodra
Lufta Rusi – Ukrainë rrezikon sigurinë e gjithë perëndimit, përfshirë Europën dhe Britaninë e Madhe, pa të cilën nuk mund të ketë paqe në Kontinentin e Vjetër

Mes Shteteve të Bashkura dhe Britanisë së Madhe ekzistojnë lidhjet më të forta që mund të ekzistojnë mes dy kombeve. Ato janë dy shtylla të një bote që u ndërtua mbi gjuhën, kulturën dhe historinë e përbashkët. Amerika lindi si një vazhdim i natyrshëm i Perandorisë Britanike, që u ngrit nga kolonët anglezë që trashguan gjuhën, doket dhe zakonet, mënyrën e jetesës, dhe ambicien e një qytetërimi që do të shënonte përparimin më të madh në historinë e njerëzimit. Pavarësisht luftës për pavarësi nga Britania e Madhe, lidhja mes tyre nuk u shkëput kurrë. Në venat e miliona amerikanëve rrjedh gjak britanik, duke krijuar jo vetëm një ndërlidhje njerëzore, por edhe një ndjenjë të përbashkët identiteti që nuk është lëkundur asnjëherë.

Strategjia politike e kombit britanik dhe amerikan ka ndërtuar arkitekturën e Perëndimit modern. Lufta e Dytë Botërore i formësoi këto dy kombe si udhëheqëse të botës së lirë, mbi të cilat u ngritën themelet e NATO-s, si aleanca më e madhe e botës transatlantike. Shërbimet sekrete të dy vendeve kanë akses dhe të dhëna të pakufizuara në inteligjencën globale, ndërsa aleanca mes MI6 dhe CIA-s, marrëdhëniet e ngushta mes lidershipit të tyre politik, i kanë bërë këto dy shërbime të pathyeshme në sfidat më të mëdha gjeopolitike. Kjo nuk është thjesht një miqësi mes dy kombeve – por është një bosht që ka përcaktuar fatet e botës.

Arti dhe kultura, muzika dhe letërsia; krejt elitat kulturore të dy vendeve kanë diktuar rrjedhën e historisë. Po ashtu, Londra dhe New York-u janë qendrat ku vendosen ekuilibrat ekonomikë të botës, ndërsa kultura anglofone ka formësuar mendësinë e epokës moderne që jetojmë. Mediat, letërsia, kinemaja dhe arti i këtyre dy vendeve nuk janë thjesht prodhime kombëtare të botës anglofone, por ato janë zëri i një bote që jeton sipas modeleve anglo-amerikane. Në këtë kuptim, Britania dhe SHBA nuk janë thjesht dy vende të forta; ato janë dy anët e së njëjtës medalje, një forcë që ka mbajtur ekuilibrin e Perëndimit për më shumë se dy shekuj.

E bëra këtë përmbledhje për të vënë në dukje se asgjë dhe askush nuk mund të zbehë ose të injorojë këto lidhje të pazgjidhshme. Kjo është njësoj si të injorosh lidhjet e pazgjidhshme mes vëllezërve të një gjaku. Prandaj nuk ka zgjidhje të paqes në Europë pa Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse Shtetet e Bashkuara ose Britania e Madhe humbasin rolin e tyre udhëheqës, vetë ideja e Perëndimit do të shembej.

A mund të merrni me mend se çfarë përpjekjesh titanike po ndodhin, ndërkohë që po luhet e ardhmja dhe siguria e Britanisë së Madhe dhe Europës – në fakt e ardhmja e vet Perëndimit?!

Historia ka treguar se aleanca anglo-amerikane është më shumë se një aleancë – ajo është ekzistencë. Prandaj, acari aktual është vetëm një stuhi kalimtare.