Përse janë shqetësuar enveristët nga Agron Tufa?

1
281

Nga Namir Lapardhaja

Është një aleancë mbetjesh toksike enveriste në Shqipëri që është aktivizuar kohëve të fundit në formë reagimesh, grushtbashkuar dhe shtrëngim radhësh e rreshtash, të cilët, herë në shtypin e shkruar e herë në rrjetet sociale, kanë filluar një sulm të përqëndruar ndaj shkrimtarit dhe poetit Agron Tufa, kinse ky i fundit po hedh baltë mbi historinë e lavdishme të tyre, duke shtrembëruar faktet dhe të vërtetat.
Aleanca funksionon si sekt i mbyllur dhe anëtarët e saj nxjerrin kokën si urithi prej skutave të nëndheshme të manipulimit sa herë që dikush rreket të gërvisht prejt trupit të vuvët të historiografisë shqiptare të vërtetat historike dhe kriminale të një periudhe të mynxyrshme, siç ishte komunizmi në Shqipëri, duke u shndërruar në kalorës të fytyrës së zeherosur, në anakronik dhe shpeshherë tragjikomik.
Aradhe e tyre përbëhet nga të përkedhelur të ish-regjimit komunist, ish-gjykatës, ish-prokuror, ish-hetues, ish-sigurims, ish-bashkëpunëtor të sigurimit, ish-zyrtar të lartë të regjimit, ish-historian zyrtar dhe të përkëdhelur të kohës, ish-diplomatë të larguar nga shërbimi diplomatik për korrupsion dhe vjedhje, ish-qenie njerëzore që dikur janë ushqyer me çorbë të prishur dhe kanë besuar se Shqipëria është i vetmi “shkëmb graniti”, e vetmja mbrojtëse e parimeve të marksizëm-leninizmit dhe kanë parë tek Perëndimi dhe tek bota e lirë të keqen e madhr të kapitalizmit dhe të borgjezisë.
Janë këta, pra, që në mënyrë të organizuar dhe nëpërmjet një orkestrimi të padukshëm dhe diskret, i janë turrur Tufës si langonjtë gjahut të tyre.
Po përse gjithë ky shqetësim i enveristëve ndaj Agron Tufës?!
Unë nuk besoj se shqetësimi i tyre më i madh ndaj Tufës ka të bëjë me historinë e LANÇ-it, me shtrembërimin e fakteve të kësaj epopeje të lavidshme (siç e quajnë ata) apo me shpalljen kriminelë lufte të figurave të tyre të ndritshme etj.
Së pari, Tufa në formimin e tij nuk është historian dhe, së dyti, përveç tij, ka edhe shumë të tjerë që artikulojnë të njëjtat qëndrime dhe argumente, nën dritën e dokumenteve të reja dhe fakteve të pakundërshtueshme.
Ajo që mendoj është se i gjithë ky sulm veçmas ndaj Agron Tufës ka të bëjë me profesionin e tij si shkrimtar. Dhe jo shkrimtar i zakonshëm dhe dokudo, por një ndër poetët dhe shkrimtarët më të mirë shqiptarë të kohës sonë. Ky nuk është gjykim subjektiv, pavarësisht se nuk do doja të ndalesha më gjatë, por i mbështetur në atë se çfarë kritika dhe studiuesët serioz shkruajnë për krijimtarinë e Tufës.
Është pikërisht Tufa shkrimtar që sulmohet. Është talenti dhe frymëzimi i tij i dhuruar prej Zotit dhe i kultivuar prej tij në kohë dhe hapësirë, ajo që më së shumti i ka shqetësuar enveristët tanë.
Është shkrimtaria ajo që të bën të pavdekshëm. Është talenti i tij i rrallë dhe vetëdija e tij krijuese ajo që e nxjerr stalinizmin dhe enverizmin shqiptar jashtëzakonisht keq në sytë e perspektivës historike.
Është kontributi i madh dhe talenti i jashtëzakonshëm i shkrimtarit Agron Tufa, i vënë totalisht në dispozicion të kauzës antienveriste dhe antistaliniste në këtë vend, në hedhjen dritë të së vërtetës ndaj errësirës së stë pavërtetës ajo që i ka bërë të lartcituarit të shqetësohen seriozisht.
Vetëm romani i tij i fundit “Gurit të varrit ia rrëfej” (për të mos përmendur gjithë të tjerët) është një dokument i gjallë letrar dhe artistik që evidenton më së miri anët e errëta dhe kriminale të regjimit komunist në Shqipëri.
Dhe letërisa e mirë ka një “të keqe”: ajo e shndërron veprën dhe autorin e saj në të pavdekshëm.
Kështu që, ndërsa koha biologjike bën të sajën me vdekatarët e tjerë të rëndomtë, për Tufën dhe veprën e tij funksionojnë ligjësi të tjera, që çdokush që bëhet pjesë dhe material i kësaj vepre, në një formë ose në një tjetër, ka “të drejtë” të shqetësohet.

1 Koment

Comments are closed.