Demokratët e qarkut të Kukësit kanë ndëshkuar ishkryebashkiakët.
Dje në tri degët e qarkut të Kukësit u zhvillua votimi se cilët kandidatë do të vazhdojnë garën për deputet dhe kryetar bashkie dhe kush skualifikohet. Duket se anëtarësia e qarkut të Kukësit ka qenë e pakënaqur me drejtuesit lokalë të zonës. Kështu, gazeta “Panorama” mësoi se në degën e Kukësit demokratët kanë votuar me vota kontestuese ish-kryetarin e Bashkisë, Bashkim Shehun, duke i hequr të drejtën për të vazhduar garën.
Sipas një postimi të bërë në “Facebok”, mësohet se në degën e PD-së në Kukës në total rezultojnë 1365 anëtarë, nga ku kanë marrë pjesë në votime 949 persona, ose 69.5% e anëtarësisë. Për të skualifikuar një kandidat nga gara duhet të ketë minimalisht 20% të votave të hedhura në kuti kontestuese. Revolta e demokratëve me ish-drejtuesit lokalë është shfaqur edhe në degën e Tropojës në qarkun e Kukësit. Sipas të dhënave të mësuara, në këtë degë janë skualifikuar nga gara Besnik Dushaj dhe Feride Rrahmani.
Dushaj ka qenë ish-kryetar i Bashkisë së Tropojës ndërsa znj. Rrahmani ka qenë zëvendëskryetare e Bashkisë në të njëjtën kohë. Ndërkohë, në degën e Hasit është skualifikuar nga gara Zenel Kastrati. Kështu nga 17 emra të cilët kaluan fazën e dytë nga komisioni i vlerësimit të kandidatëve në PD, vetëm 13 prej tyre do të rikthehen në selinë blu. Ndërsa 4 u skualifikuan në ballafaqimin me anëtarësinë.
Qyteti verilindor ishte qarku i parë që hapi siparin e votimit të kandidatëve të kualifikuar nga komisioni i vlerësimit. Qarku i Kukësit prodhon në total 3 mandate përfaqësuesish në Parlament. PROCESI Në qershor selia blu nisi për herë të parë një proces të mbledhjes së propozimeve të emrave që demokratët do të donin t’i shihnin në listën e përfaqësuesve për deputetë dhe kryetarë bashkie. Procesi i përzgjedhjes së këtyre kandidatëve u nda në disa faza. Në fazën e parë demokratët propozuan rreth 3600 emra. Ndërkohë, komisioni i posaçëm i ngritur në selinë blu kaloi për në fazën e dytë 1000 emra.
Në fazën e dytë të procesit kandidatët i nënshtrohen “vettingut” nga 5 anëtarët, Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Genc Ruli, Mark Marku dhe Enriketa Papa. Përreth një muaj komisioni ka bërë verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve ku pritet që nga 1000 emra që kaluan në fazën e dytë, në fazën e tretë të kalojnë vetëm 400 emra.
Kandidatët që kalojnë fazën e dytë do të shkojnë për t’u votuar me votë kontestuese në anëtarësinë e PD-së dhe më pas lista që del nga votimi i dërgohet kryesisë së PD-së. Të parët që nisën këtë proces ishin kuksianët. Pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka përgatitur disa urdhra për çdo qark për procesin e votimit.
Procesi do të ndiqet nga sekretari organizativ ndërsa kryesia në rrethe merret me organizimin e votimit në çdo degë. Ndërkohë, lista me kandidatët që do të shkojnë në fazën e tretë për çdo degë do t’i dërgohet 24 orë para votimit në mënyrë që të shmanget mundësia për fushatë negative. Procesi i votimit do të zhvillohet në çdo degë të PD-së në çdo qark. Panorama
QARKU KUKËS
Dega Kukës, qarku Kukës:
- ADMIR SINAMATI- Kualifikohet
- ARBEN CEJKU- Kualifikohet
- BASHKIM SHEHU- Përjashtohet
- IBRAHIM BRUKA- Kualifikohet
- SAHIT PRIZRENI-Kualifikohet
- VJOLLCA VATA-Kualifikohet
Dega Tropojë, qarku Kukës:
- BESNIK DUSHAJ- Përjashtohet, 227 vota kundër
- FERIDE RRAHMANI- Përjashtohet, 212 vota kundër
- ISUF ÇELA –Kualifikohet, 11 vota kundër
- LUSH SUSAJ-Kualifikohet, 76 vota kundër
- MIMOZA HAJDARMATAJ-Kualifikohet, 52 vota kundër
- XHEM NEZAJ-Kualifikohet, 18 vota kundër
Dega Has, qarku Kukës:
- AVENIR PEKA-Kualifikohet
- DEMUSH KASTRATI-Kualifikohet
- ELEZ MACI-Kualifikohet
- ISMET JAKU-Kualifikohet
- ZENEL KASTRATI-Përjashtohet