BallinaAktualitetMedia italiane/ Shqipëria po bëhet narkoshtet sipas modelit Amerikano-Jugor

Media italiane/ Shqipëria po bëhet narkoshtet sipas modelit Amerikano-Jugor

spot_img
spot_img

Shkruan Vincenzo Musacchio*

Trafiqet ndërkombëtarë të drogës kalojnë nga zemra e Shqipërisë përmes ‘rrugës së Atlantikut’, e shfrytëzuar për futjen e substancave të ndaluara nga Italia në gjithë Evropën.

Një sipërmarrje e drejtuar nga organizatat kriminale shqiptare, në veçanti nga mafiet e Vlorës e Durrësit dhe ajo e kryeqytetit. Shqipëria është bërë nyje thelbësore për narkotrafikun evropian e ndërkombëtar.

Nëse fillimisht organizatat kriminale shqiptare, në veçanti ato bregdetare, ofronin ekskluzivisht mbështetje logjistike për kartelet, me kalimin e viteve raportet kanë ndryshuar: disponueshmëria e madhe e mjeteve dhe burimeve ekonomike i ka dhënë mundësi mafias së vendit të shqiponjave të bëhen liderë të padiskutueshëm të trafiqeve të paligjshëm të drogës dhe armëve.

Sot, mbi 50% e gjithë opiumeve, kokainës, heroinës e morfinës së sekuestruar në Evropë kapet pikërisht në rrugën Adriatike, e cila sjell drogën nga Afganistani, duke kaluar përmes Iranit, Turqisë e vendeve jug e juglindore të Evropës.

World Drug Report 2018, raporti mbi tregun botëror të drogës i publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimet, i konfirmon këto të dhëna. Shqipëria është vend-tranziti kryesor për të gjitha drogat, përfshirë edhe ato që vijnë nga Amerika e Jugut.

Afera me vlerë miliarda euro në duart e klaneve të pranishëm në të gjithë territorin: në Shqipëri manaxhohen në nivelin maksimal trafiqe, investime ekonomike dhe riciklim parash të pista. Por prania e grupeve të shumtë të organizuar dhe shumat e jashtëzakonshme që fitojnë bëjnë që klanet të jenë në luftë të vazhdueshme mes tyre për menaxhimin e një prej bizneseve më fitimprurës në botë.

Në Tiranë dhe në pjesë të ndryshme të vendit në muajt e fundit janë regjistruar vrasje të shumta që çojnë direkt te lufta për dominimin e trafikut të drogës midis grupeve mafioze. Çdo ditë, lufta midis grupeve rivale për kontrollin e territorit dhe tregut të drogës po bëhet përherë e më e përgjakshme deri në atë pikë sa të fusë në krizë edhe qeverinë shqiptare që ka brenda saj eksponentë të lidhur me mafiet lokale.

Autoritetet shqiptare duket se nuk po impenjohen në luftën kundër organizatave kriminale, ndërkohë që ekzekutimet në rrugët e qyteteve vazhdojnë prej vitesh, siç shkruan media vendase. E konfirmojnë edhe shifrat e ofruara nga Europol që analizon gjithë vrasjet e verifikuar në Shqipëri nga 2015 deri sot.

Autoritetet thonë se mbi 200 personat e vrarë janë të lidhur në njëfarë mënyre me pistën mafioze, ndonëse vetëm pak raste janë zgjidhur vërtet me dënimin e fajtorëve. Për mbi 80% të vrasjeve nuk ka as të dyshuar.

Të dhënat e mbledhura tregojnë që aktet përbëjnë rrezik të madh edhe për qytetarët. Pjesa më e madhe e ekzekutimeve bëhet në mes të ditës e në vende publike: në shkurt, dy kalimtarë për pak sa nuk u kapën nga shpërthimi i makinës së një të dyshuari si trafikant droge.

Që kur Shqipëria është impenjuar në luftën kundër mafias, e detyruar nga Bashkimi Evropian, pak ka ndryshuar. Arsyeja pse pjesa më e madhe e vrasësve ende nuk është identifikuar është lidhja midis kriminalitetit të organizuar dhe politikës e me struktura të policës, drejtësisë dhe shërbimet e sigurisë.

Mafiat e vendit janë shumë të fuqishme dhe raportet mes klaneve, politikës dhe forcave të rendit janë të njohura.

Klodiana Lala, gazetarja kurajoze e kronikës, me një karrierë të kaluar mes raportimit të aferave të grupeve kriminale në ekspansion të vazhdueshëm, konfirmon ekzistencën e lidhjeve të forta midis bosëve të narkotrafikut dhe institucioneve publike shqiptare.

Nuk është gjë e re që politika të ketë lidhje me organizata kriminale, por tani kemi arritur në pikën që mafia ka hyrë në parlament. Ish-ministri i brendshëm i qeverisë aktuale të Edi Ramës është nën hetim për trafik ndërkombëtar droge dhe favorizim të klanit Habilaj.

Kushëriri Moisi tani është në burg në Catania. Edhe për këtë, pak ditë më parë, prokurori kombëtar anti-mafia De Raho, në vizitë në Tiranë, paralajmëroi që mafia rrezikon të bëhet investuesi më i madh në ekonominë shqiptare.

Mafia emergjente evropiane është ajo shqiptare, e fortë, e egër dhe e lidhur pothuajse kudo me mafiet autoktone të territoreve ku futet. Bashkëpunimet kriminale janë të vazhdueshme me të gjitha grupet mafioze (Ndrangheta, Cosa Nostra, Camorra, mafia Puljeze) siç e vërteton menaxhimi i drogës në rrugë, që në 80% i jepet kriminalitetit vendas nga klanet shqiptare.

Në Abruzzo e Molise, klanet shqiptare kanë rol dominues në shpërndarjen e heroinës e kokainës për Camorran dhe mafien foxhane dhe garganike. Me bekimin e mafieve vendase, shqiptarët munden të veprojnë lirisht në territoret e tyre, duke imponuar rregullat e tyre të ashpra.

Kërcënimi i grupeve kriminale shqiptare në Itali tashmë është një alarm që nuk duhet nënvlerësuar. Pellgu i Adriatikut (brigjet puljeze dhe molisane) janë vendi kryesor i penetrimit në Itali, por tani mund të thuhet pa frikën e përgënjeshtrimit se mafia shqiptare është e pranishme në mënyrë masive në të gjithë gadishullin Apenin.

Nëse vazhdohet me këtë hap, Shqipëria mund të bëhet një Meksikë e re në Evropë. Për fat të mirë ende nuk është bërë, por mund të bëhet. Kriminaliteti shqiptar po ristrukturohet në formë të organizuar dhe askush nuk duket se di si t’i përgjigjet këtij mutacioni që nëse shkon deri në fund mund ta bëjë Shqipërinë një narko-shtet të vërtetë sipas modelit amerikanojugor.

*President i Osservatorio Antimafia në Rajonin Molise

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular