Nga Linda Karadaku
Zdravko Krivokapic, që pritet të jetë kryeministri i ri i Malit të Zi, u bë fokus i debateve, këtë herë jo për rolin e tij në krye të koalicionit opozitar apo se çfarë pritet të bëjë në krye të qeverisë, por për një vizitë të tij në shtëpinë e Mileta Pavicevic, ku ai mirëpriste nacionalistin serb, të dënuar për akte terroriste, të quajtur Nikolla Kavaja.
Po cili është ky serb me një mbiemër shqiptar dhe çfarë e lidh atë me Kavajën?
Një histori e ngatërruar ballkanase, me shpjegime kontradiktore.
Nikolla Kavaja ka lindur në vitin 1932 në Pejë, dhe ka vdekur në vitin 2008 në Beograd. Ishte nacionalist serb dhe anti-komunist. Akuzohej për rrëmbimin e një avioni të American Airlines në 1979 dhe për disa përpjekje për të vrarë Josip Broz Titon.
Shtetet e Bashkuara e kishin renditur atëherë si terroristin e shtatë në botë.
Nikolla Kavaja, me prindër serbë, e ka origjinën nga Dobrski Selo afër Cetinjes. Mbiemri original ishte Radishiqi, por për shkak të gjakmarrjes, e ndryshuan në Kavaja. Njëri nga vëllezërit Radishiqi vrau dikë në fshatin e tyre Dobrski Selo dhe kështu që, u arratis për të shpëtuar jetën.
Arrin në Shqipëri, më saktësisht, në qytetin e Kavajës. Kur situata qetësohet, kthehet në Dobrsko Selo, ku u mbiquajt Kavaja dhe prej të cilit lindi një vëllazëri e re, vëllazëria kavajase.
Edhe sot e kësaj dite, në Dobrski Selo, ekzistojnë dy vëllazëri, vëllezëritë Kavaja dhe Radishiq, të cilat janë të afërm gjaku.
Gjyshi i Nikolla Kavajës ishte shumë i afërt me mbretin Nikolla ndërsa babai i tij ishte xhandar. Si fëmijë, Nikolla Kavaja jetonte në Pejë. Në prill 1941, gjermanët sulmuan dhe pushtuan Mbretërinë e Jugosllavisë dhe familja e tij u nda dhe u dërgua në kampe të ndryshme burgimi në Shqipëri.
Nikolla Kavaja u dërgua në kampin në Qafë Prush, më vonë në Kusko dhe pas kapitullimit të Italisë në 1943, ai u la i lirë dhe u transferua në Serbi.
Pas luftës, Kavaja u vendos me familjen e tij në Crvenka të Vojvodinës. Bëhet toger aviacioni, por pasi vëllezërit e tij arrestohen dhe dërgohen në Goli Otok, Kavaja bashkohet me një grup sekret anti-komunist, i cili u organizua në kazermat e ushtrisë jugosllave në Sombor.
Autoritetet jugosllave e arrestuan kur u përpoq të ikte në Austri. Gjykata ushtarake e dënoi me tetëmbëdhjetë vjet e gjysmë burg, por pas katër vjetësh burg, Nikolla Kavaja arritën të largohet për në Austri. Autoritetet austriake e arrestuan dhe e transferuan në një bazë ushtarake amerikane.
Kavaja filloi të kryejë detyra në shërbimin e CIA-s kundër Jugosllavisë, duke përfshirë sabotimin, spiunimin, zbulimin e agjentëve të dyfishtë dhe vrasjet. Me urdhër të CIA-s, ai shoqëroi mbretin Peter II Karadjordjevic gjatë çdo qëndrimi të tij në Amerikë, për shtatë vjet, nga 1964 deri në vdekjen e mbretit në 1970.
Kavaja ra dakord për një nga detyrat më të mëdha të CIA – vrasjen e Titos. Nuk arriti ta bënte. Kavaja ishte një figurë qendrore në një grup të quajtur Lëvizja Çlirimtare e Atdheut Serb. Në 1978, shoqëruesit e Kavajës dhe të kësaj organizate, mbi njëqind persona, u arrestuan në New York nga autoritetet amerikane.
Kavaja u la i lirë me kusht pasi pagoi 250,000 dollarë.
Por më 20 qershor 1979, ai rrëmbeu një avion të American Airlines 727, fluturimi 293 nga New Yorku në Chicago. Nikolla Kavaja planifikonte të kërkonte lirimin e mikut të tij Kajeviç dhe më pas të fluturonte për në një destinacion të zgjedhur nga Kajevic.
Kur e kuptoi që Kajeviç nuk do të lirohej, ai i la pasagjerët e avionit të largoheshin, duke mbajtur vetëm pilotin, bashkë-pilotin dhe inxhinierin e fluturimit. Ai e detyroi ekuipazhin të fluturonte përsëri nga Çikago në Aeroportin JFK në New York dhe atje u transferua në një aeroplan më të madh (një Boeing 707) dhe kërkoi ta çonin në Johanesburg, në Afrikën e Jugut.
Me këshillën e avokatit të tij David Lenevsky, fluturoi për në Irlandë, për të cilën iu tha se nuk kishte një marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara. Duke shpresuar për azil politik, Kavaja u dorëzua në Shannon, Irlandë por u përball me gjykatën.
Kavaja ishte në burg nga 1979 deri në 1997 kur u lirua me kusht. Duhej të kishte qëndruar në lirim me kusht deri në 2019.
Ai e shkeli lirinë e tij me kusht duke u kthyer në Jugosllavi; po të kthehej në Shtetet e Bashkuara do të arrestohej dhe do të kthehej në burg. Kavaja formoi një njësi ushtarake për të ashtuquajturëm “mbrojtje të serbëve në Kosovë” dhe krijoi një kamp trajnimi në Mal të Zi, ku rekrutët e tij u trajnuan për gjashtë muaj.
Sidoqoftë, njësisë së tij nuk iu dha kurrë leje për t’u përdorur në Kosovë. Nikolla Kavaja u arrestua në 1 Prill 2003 gjatë Operacionit Sabre pas vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiç, por megjithatë, u la iI lirë edhe këtë herë.
Kavaja vdiq nga një sulm në zemër në shtëpinë e tij në Beograd më 10 nëntor 2008, megjithëse u spekulua se ai ishte helmuar…/abcnews.al