Ambasadori gjerman, Peter Zingraf i ka bërë thirrje palëve politike në vend që të vazhdojnë më tej me zbatimin e reformave.
Ai thotë se përmbushja e kushteve të integrimit është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve.
Po ashtu, ai ka kërkuar që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të lira, të ndershme e paqësore, pasi “janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit”.
Postimi i plotë:
Kushtet, që Këshilli i BE-së i ka vënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj, u përgatitën vitin që shkoi nga Bundestag-u Gjerman dhe u pranuan njëzëri në vend si ‚Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave: Përmbushja e kushteve është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre. Ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi. Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende”, thotë ndër të tjera Zingraf.