Një rast jo fort i zakontë është regjistruar në Tiranë, kur një 40 vjeç, banues në Kamzë, i ka grabitur makinën kushërirës së tij.
Ngjarja në zonën e Kthesës së Kamzës, dhe menjëherë pas denoncimit, policia është vënë në lëvizje. Fal kamerave të sigurisë, është identifikuar autori.
“Ky shtetas u kap në tentativë për ta djegur mjetin, pasi e kishte lyer me lëndë djegëse (benzinë), por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe në kohë të shërbimeve të Policisë u bë i mundur parandalimi i djegies së mjetit”- bën me dije policia, e cila nuk sqaron arsyet e ngjarjes.
Njoftimi:
Vodhi automjetin e kushërirës së tij, kapet dhe prangoset nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në tentativë për ta djegur automjetin.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, me marrjen e njoftimit se në vendin e quajtur “Casa Italia”, rreth orës 17:30 të pasdites së djeshme, në një parkim ishte vjedhur automjeti në pronësi të shtetases B. Gj., bazuar dhe në pamjet filmike, menjëherë organizuan punën për kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Si rezultat e veprimeve të shpejta dhe profesionale, pas disa orësh kërkimesh u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Gj., 40 vjeç, banues në Kamzë.
Ky shtetas u kap në tentativë për ta djegur mjetin, pasi e kishte lyer me lëndë djegëse (benzinë), por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe në kohë të shërbimeve të Policisë u bë i mundur parandalimi i djegies së mjetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, për veprime të mëtejshme hetimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.