Gjendja e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump është duke u përmirësuar dhe ai mund të dalë nga spitali më 5 tetor, thanë mjekët që merren me trajtimin e tij në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed.
Mjekët thanë se nivelet e oksigjenit të presidentit Trump kishin rënë dy herë shkurtimisht ditët e fundit dhe ai po trajtohet me steroid. Por, ata dhanë një vlerësim optimist të shëndetit dhe perspektivës së presidentit 74-vjeçar.
“Pacienti po vazhdon të përmirësohet. Ai nuk ka ethe që nga e premtja në mëngjes, shenjat e tij jetike janë të qëndrueshme”, u tha mjeku Sean Dooley gazetarëve në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, ku Trump ka marrë trajtim që nga 2 tetori.
Në një video katër minutëshe të postuar në Twitter në 3 tetor, Trump tha se ndihej “shumë më mirë” dhe shpresonte që “të kthehej së shpejti” për të përfunduar fushatën përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Trump tha se ditët e ardhshme do të jenë “provë e vërtetë” pasi ai falenderoi të gjithë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën për mbështetjen e tyre.