Policia e Shtetit njoftoi dje se rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Madridin, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, u bë i mundur arrestimi në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Gentjan Marku, 29 vjeç, banues në Reps.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2018, ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest me burg’, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike’, ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’, e kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të ‘Grupit të strukturuar kriminal’, ‘Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’. Shtetasi G. M., në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike”, tha zyrtarisht Policia.
Bëhet fjalë për dosjen “339”, pjesë e së cilës ishte edhe 29-vjeçari Gentjan Marku, bashkë me dy nipat e ish-deputetit Arben Ndoka, Samuel dhe Vilson Ndoka. Pjesë e këtij grupi janë edhe ishkampioni i sportit e mundjes Elis Guri, Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Goltion Noka, Fation Marku dhe Luan Boça.
Nga hetimet që kanë nisur prej vitit 2016 për dokumentimin e veprimtarive kriminale, janë përdorur metoda speciale të hetimit. Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjimesh, filmimesh, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit. Referuar hetimeve, rezulton se personat e arrestuar kanë konsumuar 3 vepra penale, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Zyrtarisht bëhet e ditur se gjatë periudhës që kanë qenë në hetim, të prangosurit kanë arritur të dokumentohen 13 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, nga kanabis deri te drogat e forta. Një pjesë e tyre janë sekuestruar në Itali dhe vende të tjera, ndërsa burime thonë se ishin përgatitur edhe disa raste të tjera nga grupet kriminale. Ndërkohë, për të krijuar lehtësira në veprimtarinë e tyre, ky grup kishte arritur të ushtronte ndikimin e tij edhe në funksionarë të Policisë.
Sipas Prokurorisë, Avdylajt në bashkëpunim me të shpallurin në kërkim A.Hoxha, i cili dyshohet si personi që ka krijuar laboratorin në Has, shtetasit turq dhe anëtarë të disa grupeve të tjera, do të transportonin jashtë vendit drogën e prodhuar. Policia thotë se hetimi për këtë operacion ka nisur pas referimit të Policisë së Shtetit, por më pas është marrë ndihmë dhe informacion edhe nga agjencitë e huaja ligjzbatuese, kryesisht Gjermania.