Prej 15 tetorit mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme në ambiente të hapura apo të mbyllura, përveç shtëpisë ndërsa shkelësit e këtij vendimi do të gjobiten dhe gjoba do të faturohet së bashku me energjinë elektrike. Shumë qytetarë janë njoftuar për këtë vendim, por nuk janë të qartë për mënyrën se si do të verifikohen shkelësit nga ana e policisë, e cila do të monitorojë në terren.
Mesohet se qytetarët që do të konstatohen pa maskë do të gjobiten me 3 mijë lekë të rinj. Në rast përsëritje të shkeljes gjoba rritet në mënyrë progresive 6, 9 12 mijë lekë e kështu me radhë. Në faturën e energjisë elektrike do të jetë nominalisht e shkruar se cili person ka kryer shkeljen duke shkruar gjeneralitetet dhe numrin e kartës së identitetit, që do t’i kërkohet çdo shkelësi në rrugë apo në ambiente të tjera.
Pas 15 tetorit është e detyrueshme që çdo person të ketë mjet identifikimi me vete që në rast se kapet në shkelje policia të mund ta identifikojë e më pas me ndihmën e databases së OSHEE të gjendet se në cilën kontratë të faturohet gjoba.
Në rast se shkelësi nuk ka me vete mjet identifikimi dhe është mbi 18 vjeç, ai do të shoqërohet në komisariat. Për minorenët policia do të veprojë me këshillime. Në ditët në vijim pritet që ministria e shëndetësisë në koordinim me policinë e shtetit të hartojnë protokollet e nevojshme për zbatimin e masave të reja që synojnë uljen e përhapjes së koronavirusit.