Massafra mesazh për Pashkët: Nuk duam vetvrasjen e kombit, angazhohuni për zgjidhje

0
230

Imzot Angelo Massafra ka uruar besimtarët katolikë e ortodoksë për festën e Pashkëve.

Massafra tha se jetojmë në një kohë të vështirë, por u bëri thirrje besimtarëve të mos inkurajohen.

Në mesazhin e tij, Imzot Massafra shtoi se e ardhmja është edhe në duart e secilit prej nesh.

Të dashur, mos u lodhim në të qenurit tonë misionarë të Ngjallurit, le të themi dhe ia tregojmë të tjerëve fuqinë e emrit të tij që shëron, fal e shpëton.

Imzot Angelo Massafra: “Vëllezër dhe motra, është e vërtetë, jetojmë një moment të vështirë, të gjithë e ndiejnë vështirësinë për të jetuar që, ndonjëherë, i ngjan një lufte për mbijetesë. Le të mos shkurajohemi: të shikojmë gjithçka që kemi bërë në këto vite,të vlerësojmë ecjen që kemi bërë deri tani me shumë sakrifica. Secili prej nesh, sot, të bëjë pjesën e vet. E ardhmja është edhe në duart të secilit,  përveç të Zotit.

Për këtë arsye, ju uroj të gjithëve ju, katolikë, ortodoksë e krishterë, që të dini ta mirëpritni kumtimin e Emrit të Jezusit të Ngjallur: Ai na shpëtoftë dhe e liroftë Shqipërinë tonë prej padrejtësive, prej mendjemadhësisë, prej etjes për pushtet dhe zotërim, pasi këto gjëra shkaktojnë urrejtje, hakmarrje dhe vrasje.

Ai na dhaftë guximin e nevojshëm për të fituar mbi çdo formë egoizmi, forcën për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të vëmendshme ndaj nevojave të më nevojtarëve dhe na dhaftë gëzimin e brendshëm e të thellë për të qenë qytetarë aktivë, të ndershëm dhe guximshëm për rindërtimin shpirtëror, moral, kulturor dhe ekonomik të Atdheut tonë të dashur. 

Imzot George Frendo, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë- Durrësit duke iu drejtuar besimtarëve të krishterë por edhe të gjithë shqiptarëve tha se nuk mund të heshtë përballë kësaj situate, duke iu kërkuar politikanëve të angazhohen për një zgjidhje të drejtë, pasi siç tha ai ne nuk duam ‘vetëvrasjen’ e kombit.