Mesnatë në Barcelonë. Policia troket në derën e një shtëpie, ku qindra bimë kanabisi po rriten në bodrum, nën nxehtësinë e një morie llampash. Operacioni ndiqet edhe nga një ekip i agjencisë franceze të lajmeve AFP. Vetë kjo agjenci lajmesh ka dhënë detaje të asaj se çfarë u gjet në shtëpinë afër Barcelonës dhe që rezultuan se “pronarë” ishin shqiptarë.
Operacioni sipas AFP shkoi mirë me “kopshtarët” shqiptarë që dorëzohen pa asnjë rezistencë. Sipas policisë, me katër të korra në vit, banda mund të kishte fituar nga 200 deri në 400 mijë euro në tregun evropian.
Pas dekadash si portë nga ku hashashi maroken hynte në Evropë, Spanja tani po sheh plantacionet e paligjshme të shumëfishohen, ndërsa vendi po kanabizohet, duke tërhequr bandat kriminale nga i gjithë kontinenti.
Mes viteve 2014-2018, konfiskimi i bimëve të marijuanës është katërfishuar, shkruan AFP, duke iu referuar shifrave të Ministrisë së Brendshme Spanjolle. Dhe sasia më e madhe e bimëve të kanabisit të konfiskuara nga policia, është në Katalonjë, rajonin e pasur veri lindor që kufizohet me Francën.
“Katalonja është bërë kopështi i marijuanës në evropë”, thotë Ramon Chacon, një hetues kriminal i skuadrës Mossos të policisë. Fenomeni nisi një dekadë më parë, kur grupet e përfshira në kalimin e hashashit maroken nëpër brigjet mesdhetare të spanjës, që kishin një rrjet të mirë shpërndarjeje dhe kontaktesh, kuptuan se mund të fitonin më shumë duke shitur marijuanë.
Me rreth 25 milionë klientë, kanabisi është droga më e kërkuar në Evropë, duke mbledhur rreth 11.6 miliardë euro vitin e kaluar. Tani, grupe kriminale nga Britania, Suedia, Serbia, Polonia, Franca e të tjerë janë vendosur në treg, të joshur nga kostoja e ulët e prodhimit dhe dënimet e lehta që sjell legjislacioni spanjoll. Gazeta Shqip