Ditë pas dite, Tirana po bëhet gjithmonë më e lartë e më e ngjeshur. Kryeqyteti i Shqipërisë është kthyer në një kantier gjigand ndërtimi dhe ky është një fakt që qytetarët e hasin çdo ditë. Në Tiranë janë duke u ndërtuar një sërë projektesh, kryesisht godina të larta polifunksionale që shkojnë deri në 40 kate. Godinat shumëkatëshe nuk kanë kursyer as ndërtesat historike të kryeqytetit dhe qendrën e tij.
Lista e objekteve që po ndërtohen është e gjatë. Por, a është bërë një planë i mirëfilltë urbanistik për zhvillimin e Tiranës dhe a ka qyteti nevojë për kaq shumë kulla?! A janë objektet e reja në harmoni me ndërtesat historike? Mendimet për këtë janë të ndryshme, dikush thotë që kanë prishur estetikën e kryeqytetit, dikush tjetër e konsideron si zhvillim të nevojshëm të Tiranës.
Fakt është se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk mbajti premtimin e tij. Ai erdhi në krye të Bashkisë së Tiranës, me premtimin për moratorium ndërtimesh, pra zero leje ndërtimi, por e theu premtimin duke dhënë leje për kulla gjigande në të gjithë territorin, veçanërisht në qendër, dhe sot Tirana mund të konsiderohet ndryshe si qytet i betonit.
“Dhe s’kam ndërmend të hy në histori si njeriu që dha pallate, dua të mbahem mend si një njeri që punoj, ta kthej qytetin në normalitet dhe si një njeri që do mbahet mend që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate” deklaronte Veliaj para se të vinte në krye të bashkisë së Tiranës.
Ndërsa për BIRN, Veliaj në vitin 2015 deklaronte: “Unë e kam thënë shpesh herë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim. Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve Europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë. Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht, do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale. E thënë shkurt, nuk do të ketë ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë,”
Por sot, jep tjetër version, pasi sipas tij ndërtimet shumëkatëshe nuk mund të ndërtohen në periferi, por në qendër dhe sipas tij kjo ndodh dhe në kryeqytet e vendeve të tjera, pavarësisht se në vitin 2015 deklaronte krejtësish të kundërtën.
“Qendra e Londrës, New York-ut, Milanos është me kulla. Po si u bëkan kullat në periferi? Nëse ti do që t’i vazhdojmë kodrave të Farkës dhe kodrave të Dajtit, unë besoj që ajo ka qenë një politikë e gabuar. Ne më mire jemi të mbledhur” deklaron Veliaj.
Sipas INSTAT, në vitin 2019, sipërfaqja e lejeve të dhena për ndërtim në kryeqytet arriti në rreth 1.5 milionë metra katror, me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe duke shënuar një nivel rekord të paktën që prej vitit 2010.
Në Tiranë po lartësohen çdo ditë qiellgërvishtësit, ndërsa çmimet kanë arritur deri në 4 mijë euro për metër katror, një absurditet nëse marrim për bazë nivelin e pagave në Shqipëri dhe mundësinë e kreditimit nga bankat. Në Indeksin e Çmimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2020, Shqipëria renditet e treta më e shtrenjtë në Evropë.
Por kush i financon këto kulla miliona euroshe. Dyshimet janë se pjesa më e madhe e tyre janë pastrim parash, që vijnë nga aktivitete kriminale.
Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro. Të dhënat bëhen me dije në raportin “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, një publikim i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar”. Sipas raportit, nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate midis 2017 dhe 2019, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato.
Gjithashtu dhe në raportin më të fundit të Moneyval, korrupsioni paraqet një risk të madh për pastrimin e parave në vendin tonë.
Kryebashkiaku propagandon çdo ditë mbjelljen e pemëve, por ne fakt po “mbjell” beton në vend të gjelbërimit. Për qytetarët ky është një dëm i rëndë që po i bëhet njerëzve dhe historisë së Tiranës. Për fajtorin kryesor për këtë degradim të kryeqytet, qytetarët drejtojnë gishtin drejt kryebashkiakut Erion Veliaj.
Urbanistika e re e kryeqytetit ka hapur debat në vendin tonë. Askush nuk është kundër zhvillimit, por janë kundër ndërtimit të kullave në qendër të kryeqytetit, pranë objekteve historike dhe në hapësirat publike.
/Ora News/