Partia e re “Bindja Demokratike”, Rudina Hajdari: Se drejtoj unë, por është hapësirë për demokratizim

5
318

Dy ditë pas krijimit të forcës së re politike, “Bindja Demokratike”, deputetja Rudina Hajdari thotë se nuk është ajo drejtuesja e këtij forumit politik.

Në një status në Faceboook, Hajdari shprehet se krijimi i një forumi të ri është një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente.

“Shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28 vjeçare prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar”, shkruan ndër të tjera Rudina Hajdari.

Reagimi i Rudina Hajdarit

Çdo moment ndjek me vëmendje dhe ndjeshmëri, përpjekjet që bëhen për zhvillimin dhe prosperitetin e jetës politike në vend. Krijimin e çdo forumi të ri politik, e shikoj si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente që ka përfshirë vendin dhe gjithsecilit i uroj rrugëtim të mbarë dhe suksese në përpjekjet e tij.

Është e kuptueshme se Shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28 vjeçare prandaj krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar.

Ajo që më bën përshtypje në kushtet e “psikiatrisë politike” ku jemi futur është fakti që personalisht, pa dhënë asnjë deklarim apo pa ndërmarrë asnjë iniciativë lidhur me këtë, më cilësojnë si kryesuse të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit, dhe kudo ku ka shqiptarë të ndershëm, duke respektuar dhe festat e Pashkëve, nuk jam shprehur më parë.

Pak ditë më parë, në deklarimin që bëra në Parlament, shpreha vullnetin e grupit që kryesoj dhe ky do të mbetet angazhimi im kryesor. Natyrisht, në rrugëtimin që kemi nisur, prania e demokratëve të ndershëm dhe gjithë atyre që aspirojnë një demokraci të vërtetë, do të jenë mbështetja e jonë.

Shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike” dhe ne e konsiderojmë një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik, në mënyrë që deputetët dhe të zgjedhurit t’i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive. Ka shumë modele që mund ta realizojnë këtë qëllim, që nga sistemi i pastër mazhoritar, e deri tek ai proporcional kombëtar me lista të hapura nëpërmjet të cilave shpresojmë të nxjerrim jashtë të gjithë elementët e korruptuar që vijnë nga bota e krimit, që me drejtimin e mazhorancës qeverisëse, e kanë futur vendin në një drejtim pa shpresë dhe të ardhme.

5 KOMENTET

Comments are closed.