Mbrëmjen e djeshme, Dojna Mema është gjobitur për mosmbajtjen e maskës në rrugë dhe moderatorja ka reaguar e revoltuar ndaj uniformave blu.
Nëpërmjet disa videove në Instastory, moderatorja tha se po shkonte në një lokal, i cili ishte jo më shumë se tre metra larg vendit ku kishte parkuar makinën, dhe për këtë arsye nuk e kishte marrë maskën me vete.
Ajo zbuloi se nuk ka kundërshtuar gjobën, por është revoltuar me mënyrën se si policët janë sjellë me të.
“Parkova makinën tek rrugica e ‘Salës’ dhe piva një gotë verë me shoqen time, dy lokale më poshtë. Që do të thotë, nga makina që parkova tek lokali, mund të jenë 3 metra distancë dhe për çështje shpejtësie nuk mora maskën se do futesha në lokal.
Dhe gjejni çfarë? Mora një gjobë! Ok, ishte faji im se dhe për ato 3 metra duhej ta kisha maskën me vete, por a mundet ju lutem të tregoheni pak më të sjellshëm kur ndaloni njerëzit në rrugë?! Në një formë totalisht harbute dhe gati-gati sikur kisha vjedhur diçka.
Ishte ndjesi shumë e shpifur se më erdhi një ulërimë nga mbrapa nga 2 policë të veshur me uniformë dhe nga një burrë që nuk ishte veshur me uniformë dhe që më bërtiste se do më çonte në komisariat nëse nuk nxirrja në moment kartën time të identitetit, duke i thënë që makinën e kam 2 metra më poshtë dhe duke e hapur makinën me çelës, sepse arrinte deri aty.
E kuptoj që të gjithë ndodhemi në një situatë shumë të vështirë, shumë ezauruese dhe për forcat e policisë, por ju lutem të tregoheni më të sjellshëm, sepse është vërtetë shumë e rëndë nga ana psikologjike të ndalosh dikë në rrugë dhe t’i thuash do të fus në komisariat.
Kjo, përpos faktit që unë mora gjobën për të cilën nuk refuzova ta merrja, apo refuzova ta paguaja në momentin që duhet ta paguaj. Thjesht pak më shumë njerëzillëk ju lutem!”,- është shprehur Dojna.