Hera e fundit kur Posta Shqiptare iu bëri thirrje pensionistëve që të aplikojnë për dërgimin e pensioneve në shtëpi ishte në muajin mars, atëherë kur vendi u fut në karantinë duke paralizuar çdo aktivitet
Por, tetë muaj më vonë, vjen sërish i njëjti apel. Numrat në rritje të të infektuarve, mbingarkesa në dy spitalet COVID por edhe kufizimet e rivendosura kanë bërë që Posta Shqiptarë t’ju drejtohet pensionistëve që të aplikojnë për dërgimin e pensionit në banesë.
“Nisur nga situata e krijuar nga përhapja e Covid-19 në vend, Posta Shqiptare përsërit thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare (kryesisht atyre që marrin ndihmën ekonomike dhe pagesën e invaliditetit, si dhe pensionet) në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave duke evituar grumbullimet e panevojshme, të ruajnë distancimin fizik dhe të mbajnë maskat brenda dhe jashtë zyrave postare. Gjithashtu, Posta Shqiptare iu bën thirrje të gjithë pensionistëve dhe personave që kujdesen për ta, të aplikojnë sa më parë për shërbimin e marrjes së pensionit në banesë, si alternativa e duhur për mbrojtjen e tyre në këtë situatë të pazakontë pandemie”, thuhet në njoftim.
Posta Shqiptare po ashtu iu ka kërkuar të gjitha bashkive të vendit të bashkëpunojnë duke proceduar me kalimin e fondeve përkatëse për pagesat e ndihmës ekonomike dhe të invaliditetit përpara fundit të muajit, në mënyrë që të jetë në gjendje të operojë sa më parë me shpërndarjen e këtyre pagesave sipas një grafiku që synon të evitojë radhët dhe grumbullimet e padobishme.
Thirrja vjen vetëm një ditë pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve që i propozonte qeverisë mbylljen e universiteteve për të paktën një periudhë 1 mujore si edhe të lokaleve në zonën e ish-bllokut në kryeqytetet pas orës 22:00 të mbrëmjes. Shtrëngimi i masave e çon vendin drejt një mbyllje të dytë, që mesa duket s’do të jetë e largët.