LEONIDHA MUSAJ/Atentati në Urën e Tapizës pasditen e së mërkurës, ku mbeti i plagosur Ervin Kodra, dyshohet se ishte organizuar për të ekzekutuar kushëririn e tij, Durim Bami, i cili ndodhej në të njëjtën makinë.
Ende nuk ka një informacion nëse Bami ka mbetur i lënduar apo jo, pasi është larguar nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë. Ervin Kodra, i cili mbeti i plagosur në pritën që u ishte ngritur nga persona ende të paidentifikuar mbi Urën e Tapizës në aksin Kamzë-Fushë Krujë, nuk ka dhënë shumë detaje rreth dinamikës së ngjarjes, si dhe ka preferuar të mos bashkëpunojë ngushtë me grupin e hetimit dhe në një farë mënyre ka mbrojtur me fanatizëm kushëririn e tij, duke mos treguar se ku është fshehur. Policia e Krujës, e mbështetur edhe nga ekspertë të Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, vazhdon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe vendndodhjen e Durim Bamit, i cili është shpallur në kërkim.
ATENTATI
Durim Bami dhe djali i dajës, Ervin Kodra, mësohet se ishin duke udhëtuar nga Kamza në Fushë-Krujë, ndërkohë që mbi Urën e Tapizës ranë në breshërinë e plumbave. Persona ende të paidentifikuar kishin zënë pozicion pranë një pike mermeri që ndodhet pranë Urës së Tapizës dhe në momentin që kanë parë makinën e Bamit, derdhën një duzinë me plumba në drejtim të saj. Për fat, dy kushërinjtë arritën të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke u favorizuar edhe nga makina që ishte e blinduar. Makina e Bamit ka marrë 5 plumba automatiku, por mjeti me të cilin ai lëvizte ka qenë i blinduar dhe i ka mbrojtur mirë. Nuk dihet nëse Bami ka mbetur apo jo i lënduar, por plagë të lehta ka marrë vetëm Ervin Kodra. Sipas burimeve nga grupi hetimor, i cili rindërtoi edhe një herë dinamikën e atentatit, thonë se në vendngjarje janë gjetur dy lloje gëzhojash: automatiku dhe pistolete. Hetuesit mendojnë se mes autorëve dhe Durim Bamit mund të ketë pasur shkëmbim zjarri, duke sjellë dhe dështimin e atentatit për të vrarë Durim Bamin.
DYSHIMET
E kaluara e Durim Bamit ka bërë që hetuesit e ngarkuar për të hetuar këtë ngjarje të mos kenë një pistë konkrete mbi motivin e atentatit të dështuar që persona të paidentifikuar organizuan për vrasjen e tij. Bami dyshohet të jetë përfshirë në shumë ngjarje kriminale të ndodhura në Krujë, Fushë-Krujë dhe Tiranë.
“Personi i plagosur (Ervin Kodra) nuk na ka ndihmuar për të mësuar motivin e atentatit apo identifikimin e autorëve. Në këto kushte, jemi të detyruar që të ngremë shumë pista hetimi, pasi dihet që e kaluara e Bamit është shumë e pasur me ngjarje kriminale. Me prova dhe pa prova, na rezulton që Bami të jetë pjesëmarrës direkt ose indirekt në disa krime të ndodhura në Krujë, FushëKrujë dhe Tiranë. Edhe personat që shoqëruam në komisariat nuk është se dhanë detaje të vlefshme”, thanë burime nga grupi i hetimit. Bami është një personazh i njohur jo vetëm nga Policia, por edhe nga politika dhe opinioni publik, pasi u bë i njohur me atentatin e pretenduar ndaj deputetit Tom Doshi. Bami rezulton personi i fundit që është takuar me Enver Stafukën, që u rrëmbye nga katër persona të veshur me uniforma policie në qendër të Fushë-Krujës dhe rezulton i zhdukur prej disa vitesh. Bami është subjekti i OFL-së dhe njihet si person me precedentë penalë dhe i dyshuar si pjesëmarrës në disa ngjarje shumë të rënda. Panorama