Të nderuar Zonja e Zotërinj ekspertë të Komitetit !
Tashmë COVID-19 është një realitet i zi, që ka shkelur pothuaj në çdo familje shqiptare, diku me dhimbje , diku me tragjedi .
Në mbarë botën që nga 31 dhjetori 2019 deri më 05 nëntor 2020, janë prekur 48 171 563 njerëz nga COVID-19.
Në vendin tonë janë prekur zyrtarisht 22,721 njerëz, prej të cilëve janë shëruar 11,696 dhe kanë vdekur 543 të tjerë.
Këta shifra fatkeqesisht nesër do të jenë më të larta…
Unë si mjek i vijës së parë kam një lutje ndaj Jush, dhe këtë po e shkruaj nga bordi i një ambulance , në pritje, para njërit prej spitaleve Covid të Tiranës për të hospitalizuar një të sëmurë me parametra kritikë për jetën.
Vend vakant për ta hospitalizuar nuk ka , dhe unë me ekipin tim po i kalojmë orët e natës duke ndërruar bombolat e oksigjenit, në mënyrë që ta mbajmë gjallë para spitalit të sëmurin .
Në oborrin e spitalit ka edhe disa ambulanca të tjera , nga Tirana por edhe nga rrethet, dhe ata presin me shpresë se mos del dikush i shëruar ose i vdekur për të hospitalizuar pacientin që mban në bord !
Pandemia e COVID-19 gjunjëzoi edhe vende të pasura e me spitale moderne, e jo më një vend të varfër e me spitale të rrënuara e me mungesa në mjete e në stafe si Shqipëria, por unë nuk dua të diskutoj këtë me ju .
Lutja ime para 7 muajsh për ministren shkoi në vesh të shurdhër, e unë në fakt nuk prisja tê mê përfillte ministrja e shëndetësisë, pasi qasjen e saj ndaj mjekëve e kam kuptuar prej kohësh !
Ajo nuk është si ne !
Ju jeni si ne !
Ju jeni mjekë!
Ju e dini më mirë se sa unë, që COVID-19 është virus respirator dhe shkakton infeksion pulmonar.
Infeksioni pulmonar shkakton ARDS, sindromi i insufiçiencës respiratore acute.
Në ARDS i sëmuri është i pamundur të marrë frymë vetë, dhe trajtohet vetëm në njësitë e kujdesit intensiv me frymëmarrje të drejtuar.
Ne edhe respiratorët , ashtu si gjithë bota, i kemi të kufizuar në numër, por le të jemi optmistë që mund të kemi pa limit të tillë!
Siç e dimë mirë, në Shqipëri (por jo vetëm) nuk kemi mjaft mjekë e infermierë reanimatorë për të trajtuar një fluks të rritur të pacientëve, si në ditët e sotme.
Prandaj, nevoja urgjente kalon tek personeli mjekësor shtesë që ka specializim apo trajnim.
Ju e dini mirë që vende si Franca, Gjermania, Belgjika, Italia kanë nisur që në muajin mars 2020 kualifikimin, trajnimin e shumë mjekëve dhe infermierëve për kujdesin intensiv (intubimin, reanimimin dhe asistimin e të sëmurëve me ARDS) në mënyrë që të jenë gati për skenarë më të keqinj.
Ju e dini mirë, që nuk është vetëm Shqipëria por mbarë bota që ka nevojë për reanimatorë sot !
Shqipëria sot ka nevojë për mjekë të kualifikuar të kujdesit intensiv , dhe është e pafalshme që kemi mbetur përsëri me duart nga qielli (t’i lutemi Zotit).
Natyrisht, është e pamundur të kualifikohemi të gjithë për të qenë mjekë reanimatorë, sidomos në një kohë kaq të shkurtër, por një kurs trajnimi disa javë, për të qenë të aftë për kujdes intensiv në këtë kohë duhej të kishte filluar !
Cdo hotel mund të kthehet në spital nqs ka specialiste, të cilët ky shtet i ka detyruar të marrin rrugët e botës, por çdo spital është thjeshtë një ngrehinë pa to !
Spitalet covid 3 dhe 4 duhet te kthehen në qendra trajtimi për të sëmurët me COVID-19!
Ju lutem, braktiseni propagandën e qeverisë këto momente të rënda për vendin, përqafoni interesin e pacientëve për të cilin jeni betuar si mjekë !
Me shpresë Ilir Allkja, mjek .