BallinaOP ED“Ëndrra europiane dhe makth qeverisja”

“Ëndrra europiane dhe makth qeverisja”

spot_img
spot_img

Nga Ardit Gjinali

Pozicioni i volitshëm gjeografik në hartën politike nuk është i mjaftueshëm për të përjetuar tërësinë e realitetit europian në frymë dhe në thelb, gjithashtu. Realiteti historik ka diktuar një aktualitet të kohëve të shkuara që ka qenë i kundërt me përpjekjet e gjeneratave për të orientuar vendin kah frymës perëndimore; – ëndrra europiane ishte arsyeja jetësore e ekzistencës historike në realitetin e imponuar përdhunshëm nga shkretëtira e orientit politik, i tilli që nuk është doemos gjeografik.

Orienti politik është mendësi e mbrapshtë, hile politike, gënjeshtër banale, liri e cënuar, dije e mohuar, errësirë shoqërore e imponuar, individ i tjetërsuar, llogaridhënie e munguar, heshtje shtetërore , drejtësi e padrejtë, shtet i kapur nga pushteti dhe integrim europian i munguar;- ecuria e proçesit të Integrimit është në një regres të skajshëm, mungojnë arritjet e reja dhe është zhbërë me një pasion negativ shumëçka e arritur në vitet e së shkuarës së afërt.

Progresi në proçesin e Integrimit nuk mund të arrihet përmes vizitave që ngjasojnë me turizëm politik, por përmes një bilanci të qartë arritjesh. Pikërisht, vërehet mungesa ulëritëse e këtij të fundit që po e largon vendin nga Integrimi duke e zhytur drejt humbëtirës së një mendësie orientale qeverisëse që e shikon përmbushjen e standarteve si fillimin e fundit të saj politik. Hapja e proçesit të negociatave është shembulli fatkeq që dëshmon vullnetin e munguar të enturazhit qeverisës kah normalitetit dhe vijueshmërisë pozitive që është në koherencë me miratimin pozitiv kombëtar për Integrimin Europian.

Zhvillimi i konferencës së parë ndërqeveritare në funksion të hapjes së proçesit të negociatave mbetet një synim i parealizuar si shkak i mos përmbushjes së qëllimtë nga keqqeverisja shqiptare të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian. Saga e hapjes së proçesit të negociatave është dëshmia e një kalvari medet-qeverisjeje që ka zhvendosur prioritetet kombëtare dhe po rend në një turravrap thyerje-qafe për Republikën; një axhendë e ngushtë që është një amalgamë e klientelizmit politik dhe ekonomik , e tilla që po rreket të imponohet si një kulturë qeverisëse.

Justifikimet djallëzore të mveshura qëllimisht me mantelin e groteskut janë një enumeracion tallës për opinionin publik; qëllimi i vetëm mbetet shmangia e çdo përgjegjësie institucionale dhe politike përballë të njëjtit që njihet për një vokacion të qartë perëndimor dhe për një miratueshmëri absolute për Integrimin Europian. Shqipëria e së sotmes vështron kohën e humbur politike që po e ndëshkon aspak mëshirshëm ; në një rend aspak demokratik, ku vlerat mbi të cilat mund të funksionojë efektivisht një shoqëri normale po tjetërsohen me të njëjtën mëshirë të munguar si koha politike që fluturon dhe qeverisja që mungon, gjithashtu.

Realiteti i sotëm politik është rrjedhojë e trajektores së vazhdueshme regresive gjatë shtatë viteve ku takimi i asgjësë pozitive të qëllimtë dhe djallëzisë për të prezantuar një realitet ndryshe, realizohet dhe formëson mendësinë e një qeverisjeje;- mendësi që e ka dërguar proçesin e Integrimit në udhën e humbur të askundit ku vijimi i makth-qeverisjes është në rend të drejtë me numrin e kushteve të shtuara nga Bashkimi Europian, të njëjtët që rriten si pasojë e mos plotësimit të të mëparshmëve.

Ndërgjegja dhe zëri i brendshëm qytetar do të jenë shtysa e duhur e reagimit demokratik për një Integrim Europian të munguar; për njollosjen e emrit politik të Shqipërisë në të gjitha raportet e çertifikuara ndërkombëtare; flamurin shqiptar që qëndron në gjysëm- shtizë prej faqes aspak të bardhë të keqqeverisjes; pasaportën kombëtare që po humbet vlerën e saj të qënësishme për shkak të kufizimit të mëtejshëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqipëtarë drejt vendeve të zonës Shengen duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm; dinjitetin e nëpërkëmbur dhe largimin nga atdheu të mijëra qytetarëve për shkak të pamundësisë për një jetë normale; ëndrrën europiane që po tentohet të vritet çdo ditë përmes retorikës politike dhe akteve ligjore nga makth qeverisja që ka zënë frymën e Republikës dhe të shoqërisë, gjithashtu.
25 Prilli është dita dhe data e një reagimi qytetar demokratik ku pjesëmarrja aktive dhe masive do të jetë thelbi i ndëshkimit politik për mëkatet e qëllimta të një qeverisjeje që e përdori pushtetin për të uzurpuar shtetin në thuajse të gjithë strukturën e tij; e njëjta që sundon, por nuk qeveris dhe mbyll çdo hapësirë që do të garantonte një jetë politike në kufijtë e normales dhe një jetë të dinjitetshme për qytetarët ku shpopullimi të mos jetë kryefjala e statistikave të institucioneve shtetërore, gjithashtu.

25 Prilli është dita që evokon një bashkim të madh për të rikthyer dinjitetin kombëtar të atdheut, dinjitetin shtetëror të Republikës, dinjitetin shoqëror të secilit qytetar;- në një Shqipëri më të drejtë, me shanse të barabarta, me qeverisje njerëzore dhe me një Kryeministër normal, gjithashtu. Bashkim i madh për ditë më të mira, me kurajo, besim dhe shpresë. Koha është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular