Kryetari i PD, Lulzim Basha thotë se kryeministri Edi Rama po përpiqet ta fusë në një lojë politike, por që ai po e refuzon. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Basha tha se Rama e ka humbur kontrollin me pandeminë.
“Rama po mundohet të heqë vëmendjen nga pandemia. Sot nuk behët fjalë për lojëra politike, nuk bëhet fjalë as për fushatë elektorale. Duke hequr vëmendjen nga pandemia po vdes njerëz. Ndaj unë kam refuzuar dhe do refuzoj të futem në ato lojë politike ku po përpiqet të më tërheqë me shpifje dhe me gënjeshtra. Po më shqetëson gjendja mendore e një kryeministri që refuzon të shohë realitetin. Ndaj doja që realitetin nuk doja ta dëgjonte nga mua që më paragjykon, por nga goja juaj. Kontrollin e pandemisë e ka humbur”, tha Basha.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta mbyllte apo jo vendin në këto kushte që është, Basha tha se për të vlërësuar këtë situatë duhet që fillimisht te merren disa masa. Ai tha se nëse do të ishte në qeveri do të rriste numrin e testimeve.
“Do të shtoja urgjentisht testimet. Unë i kërkoj 2500 por vetë do të kisha bërë 5 mijë testime në ditë. Do të kisha urdhëruar që të bliheshin 5 mijë testime në ditë. E dyta që do të bëja urgjentisht do të futja të gjitha kapacitetet shëndetësore, mjekët e familjes dhe spitalet rajonale. Vendimi tjetër që do kisha marrë do të ishte bonusi për mjekët dhe infermierët. Kur i merr këto vendime pastaj e ke më të lehtë të gjykosh nëse duhet të shkosh drejt mbylljes, mbylljes së pjesshme apo mund ta administrojmë situatën kështu si është. Por nëse nuk merr asnjë masë, i ke spitalet drejt kolapsit, numrin e të infektuarave e ke jashtë kontrollit, atëherë e ke të pamundur të vlerësosh gjendjen”, u shpreh Basha.