Epidemia e koronavriusit, mes të tjerash, ka sjellë edhe një paqartësi dhe konfuzion në mjekimin e përdorur nga qytetarët.
Janë të shumta akuzat se mjekimi në shtëpi kushton shumë, ndërsa kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thotë se ajo që ndodh është se recetat e mjekimeve qarkullojnë shpesh me mesazhe.
Në emisionin “Open”, ai tha se mjekimi është i ndryshëm në persona të ndryshëm, ndaj një recetë mjekimi i dhënë për një pacient, mund të mos jetë ajo për të cilën ka nevojë një pacient tjetër.
Sipas mjekut, në ditët e para të infeksionit duhet shmangur përdorimi i antibiotikëve apo edhe bërja e analizave, pasi parametrat do të dilnin normale.
Brataj shton se kjo duhet bërë pas ditës së 7, nëse ka përkeqësime në shëndet.
“Futja e qytetarit në sistem është mjeku i familjes, qendra shëndetësore dhe 127. Ky është sistemi i referimit. Janë disa gjëra që dihen, ka abuzues. Pse duhet të gjejmë mënyra të ndryshme jashtë sistemit? Nuk ka një ilaç për këtë sëmundje, as protokoll. Janë grupe medikamentesh që përdoren në faza të ndryshme të sëmundjes. I thua pacientëve këshilla, mos merr medikamente të tjera, mos bëj analiza ditën e parë se do dalin normale. Po zgjati më shumë se 7 ditë, dita e 7 është pika kyçe e sëmundjes dhe aty duhen bërë analiza. Këtu merret një recetë dhe i dërgohet të gjithëve, i fusin dhe nja dy antibiotikë dhe i vijojnë për ditë me radhë”, thotë Brataj.