Agron Tufa, Viktor Hygo dhe Ramize Gjebrea

2
333

Nga Erl Kodra

Romani “Viti 93” i Viktor Hygo (botuar në vitin 1874) është kryevepra e fundit e gjeniut francez. Madhështia e Hygoit nuk qëndron tek fuqia e artit, as tek stili i papërsëritshëm, por tek dilema ekzistenciale e luftës, në raport me viktimat e pafajshme të saj. “Viti 93” është romani i gjithëkohëshëm që ndanë të mirën me të keqen. Fabula është kjo:

Romani përshkruan revoltën dhe betejat revolucionare dhe kundërrevolucionare në 1793 gjatë Revolucionit Francez. Ngjarjet e romanit ndodhin kryesisht në Bretanjë dhe në Paris. Markez de Lantenac, Goveni, Simurdeni, Batalioni Blu, Mbretërorët, Michelle Fléchard dhe tre fëmijët e saj gjenden përballë në një luftë për jetë a vdekje në kështjellën e Bretanjës. Fitorja ose humbja e betejës do të thotë fitore ose humbje e kauzës. Megjithatë, fitorja ose humbja ka çmimin e jetës ose të vdekjes së humanizmit njerëzor, të jetëve të pafajshme. Lufta gjithmonë është e ashpër, por Viktor Hygo, ky humanist i përmasave planetare përvijon qartë ndarjen e koncepteve të luftës së drejtë dhe krimeve të luftës.

Në kryeveprën e Viktor Hygo fiton humanizmi.

Batalioni Blu ose ndryshe Ushtria Republikane ka adoptuar tre fëmijët e Michelle Fléchard, viktima të luftës. Goveni, Komandant i Ushtrisë Republikane është nipi i Markes De Lantenac, një monarkist që luftonte për kauzën e mbretërorëve në Francë. Simurdeni është një prift revolucionar, një lloj udhëheqësi politik i Ushtrisë Republikane. Finalja e romanit është tronditëse; beteja për Kështjellën e Bretanjës. Mbretërorët rrethohen në Kështjellë nga republikanët, ndërkohë që tre fëmijët gjenden në duart e monarkistëve. Komandant Goveni lufton kundër xhaxhait të tij Markez De Lantenac në një betejë për jetë a vdekje. Zjarri përfshinë Kështellën e Bretanjës, ndërsa Markezi largohet nga një dalje e fshehtë. Kur dëgjon ulurimat e Michelle Fléchard në ikje e sipër, kujtohet se në sallën e bibliotekës në Kështjellë, gjendeshin tre fëmijë të pafajshëm që po digjeshin të gjallë. Markez De Lantenac kthen rrugën nga po arratisej, futet mes flakëve në kështellë.

Papritur në dritaren e Kështjellës së Bretanjës, shfaqet Markez De Lantenac, me tre fëmijët në krahë, si një ëngjëll shpëtimtar. Armiku i betuar i Revolucionit Francez, falë kauzën e tij për jetën e tre fëmijëve. Në një luftë që nuk njeh kompromise, Markez De Lantenac e bën zgjedhjen. Jetët e tre fëmijëve të pafajshëm janë një çmim i lartë për kauzën mbretërore, ndaj, në djallë kauza dhe jeta e tij.

Por asgjë nuk mbaron këtu!

Goveni, nipi i Markez De Lantenac dhe njëkohësisht Komandant i Ushtrisë Republikane, tronditet nga gjesti madhështor i xhaxhait. Natën, si kryemomandant i Batalionit Blu, Goveni viziton Markezin në qeli. Ai e lë të lirë Markez De Lantenac, i cili largohet nga burgu, maskuar me rrobat e Govenit. Të nesërmën, në çastin kur Gjykata Ushtarake do të gjykonte Markezin, në qeli, në vend të tij, ata gjejnë Komandantin e tyre! Simurdeni, prifti revolucinoar dhe njëkohësisht edhe babai shpirtëror i Komandant Govenit, do të gjykojë birin e tij në shpirtë. Trupa gjykuese përbëhet nga tre njerëz. Simurdeni ishte kryegjykatësi.

Dy votat e para ishin kundër njëra tjetrës; njëra që Komandant Goveni duhet të jetojë, sepse gjesti i tij është thjesht human; dhe Komandant Goveni i duhet Revolucionit Francez, ndërsa vota tjetër ishte që Goveni duhet të vdesë, sepse me veprimin e tij ai tradhëtoi Revolucionin. Vota e priftit Simurden është vendimtare.

Simurdeni jep verdiktin e tij; Komandant Goveni duhet të dënohet me prerje koke në gijotinë!

Në çastin që koka e bukur e Komandant Govenit, birit në shpirtë të priftit Simurden shkëputet nga shpatullat, me një buzëqeshje të ngrirë në buzë, dëgjohet një krismë:

Revolucionari Simurden vret veten.

Huh! Çfarë madhështie tragjike e përbotëshme!

***

Kjo hyrje e gjatë me romanin “Viti 93” të Viktor Hygo nuk ishte e paqëllimtë. Me sa duket, Franca është e madhe, sepse të tillë e kanë bërë humanistët si Viktor Hygo dhe të singjashmit e Tij. Popujt e tjerë që bënë luftra dhe revolucione mbetën imitues të shëmtuar, duke kryer krime të tmerrshme, prej të cilave nuk ditën të distancohen kurrë. Ndërsa ne shqiptarët hala nuk po gjejmë forcën të dënojmë krimet e neveritshme të komunizmit tonë kanibal, që jo vetëm përbiu me mijëra jetë të pafajshme, por që hëngri edhe bijtë e vet revolucionarë.

“Revolucionarët” shqiptarë vazhdojnë të mbeten të vegjël, burracakë. Imagjinoni për një moment partizanen Ramize Gjebrea dhe krahasojeni atë me personazhet e Viktor Hygo. Komunistët shqiptarë nuk ia falin asaj edhe një puthje të pafajshme që i rrëmbeu partizani tjetër Zaho Koka.

Vini re! Për këtë krim me puthje, 20 vjeçarja Ramize Gjebrea sharrohet me plumba. Ky është komunizmi shqiptar.

Të gjitha këto m’u kujtuan teksa po ndjek këto ditë, thellësisht i tronditur, sulmet dhe linçimin publik që po i bëhet poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa. Ajo çka i jep përmasë tragjike sulmeve kundër Agron Tufës nuk është fjalori që po përdoret kundër tij, as shpifjet monstruoze, as personazhet që po i bëjnë ato. Fëlliqësia e sulmeve qëndron diku tjetër, tek shkaku, arsyeja.

Shkrimtarin Agron Tufa po e sulmojnë, sepse Agroni po kryen detyrën e tij, i ngarkuar nga Ligji për të zbardhur Krimet e Komunizmit. Spartak Braho, një lloj sadisti kanibalo-komunist, i sulet Agronit duke i thënë: mos m’i numro viktimat. Çfarë tmerri përçudnues!

Agron Tufa është një lloj humanisti që po përpiqet të shërojë kujtesën tonë; duke numruar viktimat e një ideologjie antihumane siç ishte komunizmi ortodoks shqiptar. Nga të gjitha pikëpamjet, nga të gjitha provat, nga të gjitha dokumentat ndërkombëtare, krimet e komunizmit janë po aq të shëmtuara sa krimet e nazizmit. Hitleri ishte një barbar i neveritshëm që shkaktoi miliona viktima, ndërsa komunizmi ortodoks shkaktoi miliona të tjera, për një kohë të gjatë, në një gjeografi shumë të gjerë. Të dyja bashkoheshin në një pikë; vrasja pa mëshirë e të gjithë atyre që ishin të ndryshëm nga ata. Të parët vrisnin hebrenjtë dhe masakruan gjysmën e Evropës, të dytët vrisnin ata që mendonin ndryshe në më shumë se gjysmën e Evropës.

Karakteristikë e komunistëve shqiptarë është se krimet e tyre filluan herët kundër gjysmës tonë tjetër, për shkaqe dhe arsye të shpikura prej tyre. Luftën kundër pushtuesve e kthyen në një luftë të egër për pushtet brenda llojit tonë, brenda rracës tonë. Për komunistët shqiptarë nuk kishte pikë rëndësie fakti se kush ishte viktima, mjafton që qëllimi të përmbushet, terrori të mbillet, pushteti të garantohet me grykën e pushkës. Me qindra janë provat e Krimeve të Komunizmit gjatë Luftës të kryera edhe brenda llojit ideologjik, ndërsa Krimet e Komunizmit kundër atyre që mendonin ndryshe janë me mijëra. Jeta e një njeriu nuk mund të shuhet, ashtu kotë, sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Një krim individual i një vrasësi të vetmuar mund të mos zbulohet kurrë, por jo krimet masive, të ngritura në sistem, kundër një mase të jashtëzakonshme shqiptarësh, kundër një shtrese shoqërore, kundër një klase politike.

Më vonë, pas vitit 1945, Enver Hoxha filloi terrorin masiv, duke shfrytëzuar djallëzisht pikërisht momentin historik të fitores kundër fashizmit. Bota u nda me perde të hekurt, ndërsa terroristi Enver Hoxha po ndërtonte një lloj ferri në këtë pjesë të botës. Terrorizimi i Enver Hoxhës nuk zgjati disa vite ose një dekadë, por plot 45 vjet. Brenda këtij ferri masakroheshin qenie njerëzore, me qindra gra, burra, fëmijë; pa shkak, pa arsye, pa prova, pa evidenca, pa gjyqe, pa dëshmitarë.

Enver Hoxha ishte përbindëshi, që me ndihmën e pakursyer të përbindshave të tjerë, të ngjashëm me Spartak Brahon nuk iu dridh asnjëherë dora kur sharronin përgjysëm jetën e burrave dhe grave shqiptare, posaçërisht edhe fëmijëve shqiptarë nëpër kampet e përqëndrimit në veri dhe jug të vendit.

Puna e Agron Tufës për të zbardhur krimet e komunizmit nuk kanë qëllim për të mohuar përkatësinë e shqiptarëve në krahun fituesve të Luftës së Dytë Botërore. Puna e Agron Tufës në krye të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është thellësisht humane, me vlera të pamohueshme për brezat që do të vijnë, për të kuptuar se çfarë kemi kaluar, në mënyrë që e kaluara e zezë e komunizmit të mos përsëritet kurrë.

Kurrë më! – ishte thirrja e popujve të botës pas kolerës nazi-fashiste. Për të jetësuar vendimin, krimet kundër njerëzimit që kryen nazistët u ngrit Gjykata e Nuremberg-ut, ndërsa vetëm përmendja e emrit të Hitlerit dhe bashkëpunëtorëve të tij është një krim në vetvete. Kjo është vlera e madhe e popujve të cilivizuar.

Kurrë më! – duhet të themi edhe për Krimet e Komunizmit, një lloj krimi makabër brenda llojit tonë, që tjetërsoi gjeneratat e shqiptarëve. Në Shqipërinë tonë, krimet e komunizmit shqiptar akoma nuk dënohen, figura e zezë e terroristit Enver Hoxha akoma glorifikohet, ndërsa pasuesit ideologjik, por edhe kriminel sadistë që kanë kryer personalisht krime nominale kundër shqiptarëve, kërcënojnë humanistin Agron Tufa.

“Faji” i vetëm i poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa është evidentimi i krimeve dhe i kriminelëve, me fakte dhe prova, dokumente dhe memuare të viktimave të komunizmit. Nëse kjo punë fisnike përkufizohet si faj nga autorët e krimeve, si dhe nga adhuruesit e kësaj “socilologjie” makabre, nuk është faji i Agron Tufës. Atavizmat e ideologjive totalitare janë të papranueshme,

***

Në mbyllje të këtij teksti është e nevojshme të thuhen dy fjalë për ata që sot po e sulmojnë ligësisht dhe pabesisht poetin dhe shkrimtarin Agron Tufa. Në të vertetë, përmasat e tragjedisë tonë kombëtare janë humnera që ne shqiptarët nuk po i kapërcejmë dotë, saktësisht për shkaqe dhe arsye të tilla, siç janë sulmet e pabesa të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Spartak Braho, dhe jo vetëm. Shkrues dhe gazetarë, media dhe institucione shtetërore, edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të propagandojnë dhe glorifikojnë periudhën më të errët të Historisë tonë Kombëtare. Ish eksponentë të Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të militojnë në politikë dhe institucione të pavarura, në Policinë e Shtetit, Prokurori dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror. Kjo nuk i shërben pajtimit tonë kombëtar, përkundrazi, kjo është arsyeja kryesore pse Shqipëria dhe shqiptarët nuk po shkëputen dotë nga tranzicioni i gjatë.

Të paktën, na lejoni të numërojmë viktimat tuaja. Ju u morët jetën dhe pronën jo se ata njerëz ishin fajtorë, ose kishin shkelur ndonjë ligj të kohës.

Jo, ju i vratë ata thjesht sepse ju jeni të kuq, qenie që nuk po ngopeni kurrë me gjak dhe vuajtje shqiptarësh. Ndaj ju lutem, jepni një shans përshpirtjes dhe lutjes tonë për shpirtin e viktimave tuaja; mos shkaktoni viktima të reja

2 KOMENTET

Comments are closed.