Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria do ta fitojë betejën me armikun e padukshëm siç e konsideron betejën kundër koronavirusit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama premton se do të rindërtojë të gjitha shtëpitë, apartamentet dhe qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti.
Duke i konsideruar dy sfida të rënda për vendin, kryeministri thotë se Shqipëria do të dalë më e fortë, ndërsa e mbyll postimin me deklaratën “më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka!”.
Kryeministri Rama në facebook:
Ne do ta bëjmë me të gjitha forcat luftën me Armikun e Padukshëm dhe fronti ynë i mbrojtjes në spitalet Covid do të jetë deri në fund, një shembëlltyrë e vendosmërisë, kurajos, profesionalizmit, pa asgjë mangut krahasuar me kushtet spitalore, kurat farmaceutike, shërbimin mjekësor në spitalet Covid të Europës!
Ne do t’i rindërtojmë një për një shtëpitë, apartamentet, shkollat, kopshtet, spitalet e qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti, në kohë rekord krahasuar me ecurinë e një procesi të tillë në vendet që janë përballur me këtë sfidë!
Dhe Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t’i përballojë e t’i fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse, sepse ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka!
#KrenarpërPS🌹