Publikohet intervista e dhënë në emisionin “RRËFIM” në TV Scan disa kohë më parë, nga piktori, karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjizori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, që u nda nga jeta para pak ditësh, i cili për 90 minuta, ka rrëfyer disa nga ngjarjet dhe historitë e panjohura të jetës. Ai ka folur rreth familjes dhe karrierës së tij artistike, duke filluar nga origjina e familjes, specializmi i babait të tij, Thanasit, në Itali për kino-operator, puna në atë profesion në qytezën e Kuçovës ku u lind dhe Koço, ardhja në Tiranë si kino-operator në Kinema “17 Nëntori”, largimi dhe dërgimi në Kombinat me dënim si punëtor, pasi u zbulua se ai kishte rregulluar një linjë direkte telefonike për Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, që u shpallën “armiq të popullit”, pjesmarrja e Koços në kino-provat për një rol te filmi “Debatik”, ku ‘nuk fitoi’, dhe figurant te ‘Vitet e para’, etj.
Pasioni e prirjet e Koços për pikturën ku mësonte me inxhinierin rus në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, si dhe me rrethin e teatrit në Pallatin e Pionerëve ku regjisorja ruse i besoi disa role, karikatura e parë që botoi te ‘Hosteni’ në 1964-ën, rolet në disa drama në Klubin e Kulturës në Kombinat, konkursi për në Liceun Artistik dhe pengesa biografike për ‘xhaxhanë e arratisur’, e drejta e studimit për në Inxhneri Mekanike në Tiranë ku qëndroi vetëm dy vite, ‘për hatërin’ e shokut indonezian që i bënte portretin dhe ‘shpërblehej’ me kafe, dreka e darka te ‘Vollga’, vajtja ushtar dhe angazhimi në Estradën e Ushtarit me shokën e fëmijrisë, Roland Trebicka, pas ndërhyrjes së regjizorit, Viktor Gjoka, duke dhënë shfaqje deri në pikat më të largëta kufitare, etj.
Lirimi i Koços nga Ushtria dhe puna në Klubin e Kulturës në Kombinat, ku bëri emër të madh, pasi pikturoi në një fasadë gjigande Enver Hoxhën, angazhimi në revistën ‘Hosteni’ si karikaturist dhe me skenare për skeçe e parodi, emërimi në Estradën e Shtetit dhe më pas në Radio-Televizionin Shqiptar, puna dhe projeketet pas viteve ’90-të me filma, komedi, spektakle etj., bashkëpunimi e puna me mikun e ngushtë të jetës, Filip Çakuli, e deri tek profecia e tij e thënë në këtë emisionin, ku ai mes të tjerash u shpreh: “…Nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq! Nuk pranojnë që t’i përcjellin për në banesën e fundit që nga Teatri, p.sh. Ka pasur shumë raste. Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo që me njëqind lutje, e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë, dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët…”
“Përpara ’90-ës, artistët janë vlerësuar, se Partia, bënte propagandë dhe na quante ‘ndihmës të saj’. Prandaj edhe na paguante. Por kjo nuk ka lidhje fare me sistemin diktatorial. Neve na respektonin që nga sekretarët e partisë, e të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të thotë që ai sistem ka qënë i mirë. Absolutisht, diktatorial ka qënë.
Kështu u shpreh në mes të tjerash para pak kohësh në një intervistë të gjatë për emisionin “RRËFIM” në Tv Scan, (me autor Dashnor Kaloçin dhe moderatore Albana Shehu Qirjako), piktori, karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjizori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, i cili u nda nga jeta më datën 8 nëntor dhe fatkeqësisht, profecia e tij “u zbatua pikë për pikë”, sikur i madhi Devole, “ta kishte lënë me amanet”, pasi ai u përcoll për në banesën e fundit nga një shtëpi funerale private?!
Në shënje homazhi për një nga ikonat më të mëdha të humorit shqiptar, Memorie.al, ka zbardhur dhe sjell ekskluzivisht për lexuesit, dëshmitë e rralla të ‘Mjeshtrit të Madh’, Koço Devole, në- disa numra.
Zoti Devole, kjo foto e juaja që shikojmë në ekran, është shumë e hershme…?
Po, kjo foto i përket vitit 1963-‘64 dhe është një kino-provë që unë bëra për filmin “Vitet e para”, e cila u realizua me skenar të shkrimtarit, Fatmir Gjata, sipas romanit të ti, “Këneta”. Në atë kohë ishte një ëndërr e madhe që të interpretoje në një film, dhe sigurisht që ishte një kënaqësi e madhe që të ishe përpara kamerave, atje në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ishte një lloj ëndrre që sa kishte filluar të më ngacmonte mua, por do vij rradha dhe t’ju tregoj edhe si nisi kjo ëndërr, pasi ka qenë filmi “Debatik” ai i pari, ku unë bëra kinoprovën, xhirova shumë, por si përfundim nuk shkova, pasi fitoi një djal tjetër. Nuk ka rëndësi, do ta them edhe atë, por ky moment që shikojmë në këtë foto, është pas asaj të “Debatik”-ut.
U prekët dhe u lënduat që nuk fituat te ai film, pra te “Debatiku”?
Po sigurisht, përveçse ishte një ëndërr e madhe të interpretoje në një film, ishte dhe kënaqësia tjetër, pasi aty luanin dhe interpretonin emra të mëdhenj të skenës dhe kinematografisë shqiptare, si: Sandër Prosi, Prokop Mima, Margarita Xhepa, etj., që i kishim parë nëpër filma dhe tani ne i kishim afër, i kishim në krah. Ishte gati gati magjike, se kur ke një ëndërr të madhe të dalësh në ekran, në kinematografi në televizion! Aty u xhirua goxha, se ishte një skenë masive, (sipas skenarit) ku u shpërthye diga, në një moment vjen ai asistent regjisori, dhe na thoshte që të bënim kujdes, pasi ne fillimisht duhet të ishim të qetë dhe vetëm kur vjen lajmi që po shpërthente diga, ne duhej të alarmoheshim. Por unë isha shumë në siklet, pasi në të gjithë atë turmë me 30-40 figurantësh, unë isha një nga ata dhe kujtoja se asistent regjizori dhe të gjithë, më shikonin vetëm mua dhe rrija me shumë siklet e frikë, duke menduar se do e bëja mirë apo keq atë skenë! Kështu në atë siklet që isha, kur vjen momenti që u dha lajmi nga asistent regjisor, pra që u shpërthye diga, nuk e di se çfar bëra, por kur e pashë filmin, (qesh) nuk ishte fare ajo skenë, vetëm dukesha pak që kisha zbritur nga ato krevatet që ishte ndërtuar dekori aty, dhe kaq ishte e gjitha. Pra, dhjetë sekonda a ishin apo nuk ishin…?!
Por ju Koço u impenjuat maksimalisht, edhe pse dolët vetëm disa sekonda në atë skenë të filmit…?!
Patjetër që impenjimi ishte maksimal, por kjo gjë erdhi më shumë nga meraku i madh që kisha unë nga dështimi, d.m.th., me kino-provat që kisha bërë me “Debatik”-un dhe këtë dua të them, se ajo tentativë për të interpretuar në atë film në 1961-in apo ’62-in, te vitet mund të gaboj, por aty afër është dhe ajo ishte një nismë e madhe, kur e kujtoj tani. Te Shkolla “8-Nëntori”, ku isha unë në atë kohë, erdhi regjisori, Hysen Hakani, futet në klasë dhe shikon të gjithë e afrohet tek unë, pasi unë s’kam qenë kështu, kam pasur flokë, e ai më përkedheli nga koka e më tha: “A ke dëshirë që të interpretosh në një film”? Ndërkohë nga gëzimi, unë mbeta e nuk fola fare dhe ai m’u drejtua përsëri: “Hë mo, ke qejf të vish, apo jo…”?! ‘Po’, i thashë unë menjëherë nga frika se mos ndërronte mëndje. Ai më tha: “Nesër do vish në Kinostudio”. Unë fluturova, nuk e di, por fluturova nga gëzimi në ato momente, pasi ishte një ndjenjë, që nuk e di si se si t’ua them…! Të nesërmen, erdhi “Gaz”-i i Kinostudios aty te shkolla për të më marrë dhe doli e gjithë shkolla duke më përshëndetur me duar kur unë po hypja aty dhe më thonin: “Ejjj, na ndero, mirëupafshim Koço, etj…” dhe më bënin me duar. Hypa, shkova në Kinostudio, bëra disa fotografi me aktorin e madh, Besim Levonja (i cili nuk jeton më, respekte) edhe Sandër Prosin e madh, e nuk e di tjetër se kush ka qenë se kanë kaluar vite dhe nuk i mbaj mënd, por këta të dy i mbaj mënd shumë mirë dhe bëmë disa xhirime, jo me ca pëllumba, jo me një italian që i jepja breshkën, etj.
Tartaruge…?!
Ehh, poo tartarughe, diçka e tillë, ishin disa skena që i kishte zgjedhur vetë regjizori Hyseni, skena që i dukeshin atij tepër të vështira dhe a do ta përballoja unë atë xhirim. Pra ishin këto skena që përsëriteshin me xhirime, disa ditë, vinte “Gaz”-i në shkoll e më merrte, më përshëndesin shokët e shoqet e shkollës, më dërgonin në Kinostudio, vazhdonin e përsërisnim xhirimet, më sillin përsëri në shkollë, më merrnin prapë e kështu nja një javë kjo punë. Befas, pas një jave, vjen Drejtori i Kinostudios, Todi Bozo dhe i thotë regjisorit, me atë zërin e tij karakteristik (se Todi mesa di është gjallë dhe i uroj edhe 100 vjet, është i ati i Petrit…), e i thotë Hysenit: “Oreee, ç’është ki mo, ki është më i madh sa ata, gjej ndonjë tjetër mo…”. Unë mbeta kështu i ngrirë. “Gjej ndonjë tjetër mo, ky është më i madh sa këta, sa Roland Trebicka, sa Dhimitër Pecani, kupton ti…, Coli duhet të jetë i vogël mo Hysen…”! Dhe kështu erdhi Hyseni e më përkedheli, u prenë xhirimet në mes dhe më tha, ‘hëëë se do bisedojmë, përsëri do vij…’ dhe të nesërmen prita, por nuk erdhi më “Gaz”-i dhe në një farë mënyre u thye ëndrra. Po u thye vërtet, por kur me thirrën për herë të dytë, u rizgjua përsëri dëshira për të interpretuar. Por kishin kaluar kohë dhe sigurisht unë kisha marrë pjesë në këto grupet e Teatrit me shkollat, me Pallatin e Pionerit etj., e gjithashtu unë që në fëmijri isha marrë me vizatime, piktura, bëja skulptura me baltë e vogëlsira të tjera si gjithë fëmijët në atë moshë.
Kishit prirje për artin…?
Po, kisha, më kujtohet se në Kombinat, ishte një inxhinier Tekstili, por ai bënte piktura me bojra vaji dhe unë i dilja nga mbrapa e komunikoja me të, se ai dinte pak shqip e më thoshte: “Mundohu të bësh vizatime kështu, se ke një stil…”. Unë edhe pse s’merrja vesh ça thoshte ai, mundohesha të vizatoja dhe e kisha me shumë pasion e dëshirë, pasi që i vogël, pra para se të shkoja për kino-prova në Kinostudio, ëndrra ime ka qenë që të bëhesha piktor. Por rruga e jetes dredhoi dhe ai që u bë sebep, është një regjisor, Mihallaq Baliu, i cili ka qenë në Shtëpinë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore, dhe ai diçka pa te une, pasi unë kisha shkruar për herë të parë një tip parodie, rreth 10 rreshta. Duhet të ketë qenë viti 1959-’60, i ri isha dhe ajo ishte një parodi për fëmijë, ku unë trajtoja ato çapkënllëqet e fëmijve, kur ne nuk shkonim në shkollë, apo loznim me llastiqe etj. Dhe ky më nxiti të shkruaja, duke më inkurajuar, por krahas kësaj, unë vazhdova të merresha me karikatura dhe në vitin 1964, arrita të botoja karikaturën e pare, te revista Hosteni. Ajo ishte një karikaturë si 30 a 40 karikatura të tjera që kisha berë unë, dhe shikoja njerzit që blinim revistën Hosteni, e kujtoja se ata e blinin atë për mua, edhe pse askujt si binte ndërmënd për karikaturën time. Sidoqoftë ishte një ngjarje e madhe për mua, botimi i asaj karikature, që se harroj kurrë. Ajo ishte një karikaturë e vogël, por u bë shtysa kryesore që unë u mora për vite e vite me rradhë te Revista Hosteni.
Me sa dimë, që në moshë të re kur ju ishit në Pallatin e Pionerit, në shkollën 7 vjeçare, nuk merreshit me vizatime dhe karikatura, por me letërsi…?!
Po po me letërsi jam marrë, me drama, vetëm me dramën merreshim, por mëndjen e kisha te piktura dhe gjithnjë thoja se do bëhem piktor, edhe pse kisha pasion edhe letërsinë. Pra ishte një dyzim si të thuash, që s’di ta përcaktoj, ndërmjet pikturës dhe letërsisë, kjo ka qenë zanafilla e pasioneve të mija, që më vonë erdhi dhe u konsolidua, duke u bërë si profesion i imi në jetë. Kujtoj se në vitin 1961 apo ’62, ka qenë një regjizore ruse, e cila më dha një rol të Gjon Marka Gjonit, te drama e Loni Papës “Tre të shtëna pushke”. Unë isha fare i ri, por më bënin makjazh, musteqe, flokë të thinjura, më vinin qeleshe etj.
Ku ju gjeti ajo dhe çfar pa tek ju?
Aty më gjeti te grupi i teatrit dhe nuk e di se çfar gjë të veçantë pikasi te unë që më angazhoi në atë dramë, duhet pyetur ajo, por nuk është e shkreta. Aty u forcua ajo prirje po themi për teatrin dhe mua më angazhuan në pjesë të tjera, pastaj erdhi komedia “Banorët e shkallës nr. 6”, e Dionis Bubanit. Këto ishin fillimet e mija të para me artin, skenën dhe dramën në veçanti, pasi ajo e Pallatit të Pionerëve, ishte si një shaka. Kështu fillova atëherë. Ishim kalamaj dhe ku të venim, shkonim në rrethin e tetatrit, ku të venim, te rrethi pikturës, por atje te piktura, nuk me pranuan si të paaftë…! D.m.th., ngeca te Teatri, jo se kisha ndonjë dëshirë të madhe. Pra karikatura e dëshira e madhe për skenën, u përzie dhe unë anoja nga komedia.
Ju keni pasur fatin dhe rastin që të takonit ikonat e jetës kulturore e artistike shqiptare, që kur u përzgjodhët për kino-provën te “Debatiku”, pra aktorët më të mirë të asaj kohe?
Po patjetër, vetëm se nuk na vinte njeri në pullë kur i thonë, e ne vetëm rrinim dhe shikonim. Më kujtohet kur Prokop Mima, na jepte fjalën artistike dhe ne e shikonim kështu, pasi ai e bënte punën e vet me shumë pasion. Dhe erdhi një moment kur Prokopi, me atë të folurën e tij karakteristike, (ka qenë një aktor i shkëlqyer ai dhe gjithë plejada e aktorëve të tjerë të asaj kohe), me atë timbrin e zërit të tij të veçantë, na thoshte: “Duhet t’i jepni tingullin çdo gërme, çdo fjale, duhet ta marri vesh edhe spektatori që është në fund të sallës…”. Dhe ne rrinim kështu dhe e dëgjonim me vëmëndje. P.sh., kur thoshte: “Karikaturisti, karikaturoi një karikaturë karakteristike’, dhe ne duhet ta thonim të gjithë fjalinë, duke i ndarë fjalët në rrokje….” Si i thonim disa nga ne, edhe duke qeshur dhe na mbetën në mëndje ato fjalë, e i përsërisnim me njëri tjetrin, por ai ishte një aktor i madh i papërsëritshëm.
A kishit një aktor të preferuar në atë kohë që të mendonit sikur unë të bëhem si ky…?
Aktori që ne ëndërronim, ka qenë Mario Ashiku, që ne e kishim idhull, që kur e pamë për herë të pare, te filmi “Furtuna” në rolin e Arbenit, ai ishte një aktor i madh dhe gjithashtu një burrë simpatik dhe ja kam thënë Marios më vonë, që ne të shikonim gjithë adhurim e simpati.
Ju keni kaluar një pjesë të mirë të jetës suaj në Kombinat, keni berë shkollën e mesme aty, keni punuar atje, por mesa kemi mësuar, që i vogël ju shkonit në Kinema “17 Nëntori”, si e kujtoni atë kohë Kinemanë “17 Nëntori”?
Po po në Kombinat, atje kam qenë. Ehhh Kinema “17 Nëntori”, se im atë, ka qenë Kino-operator i Kinema “17 Nëntori” dhe aty vinin edhe aktorët e Teatrit, se ajo ka qenë e vetmja kinema në atë kohë, e bashkë me Kinema “Donika” e “Partizani”, ishin të vetmet, se tre kinema kanë qenë në atë kohë. Sigurisht aty vinin aktorët e njohur në atë kohë, ku unë, siç thoshte ime më, më kanë marrë që një vjeç, dy vjeç, pasi babai perveçse ishte kino-operator aty, ka qenë kino-operatori i parë në Kinemanë e Kuçovës, se unë atje kam lindur në Kuçovë. Im atë ishte kino-operatori i parë aty dhe kishte shkuar edhe në Itali për të mësuar për atë profesion, por kishte mësuar edhe për këto makinat e akulloreve dhe e thërrisnin gjithandej tim atë, për këto punë. Do flas pak për tim atë, pasi më kanë mbetur në mëndje fjalët e tij, kur unë isha fëmijë dhe ai tregonte, siç i mbesin çdo fëmije në mëndje ca gjëra, që bëhen shkak për një ngjarje jo të mirë në familje. Ne në Kombinat na kishin çuar me dënim, pasi babai kur kishte ardhur në Tiranë, nga që merrej dhe me telefona, (pasi i vinte dorësh për shumë gjëra), i kishte bërë një lidhje telefonike direkte, Tuk Jakovës me Bedri Spahiun, kur këta ishin antarë të Byrosë Politike dhe me funksione të larta pas Enver Hoxhës. Por pasi u dënuan këta dhe dolën si “armiq të popullit”, ashtu si shumë të tjerë, pyetën; po kush u’a ka bërë këtë? ‘Thanas Devole’, thanë….! Hiqeni menjëherë u dha urdhëri dhe babanë e hoqën nga Kinema “17 Nëntori”, dhe ne na çuan në Kombinat. Mua më kanë mbetur në mëndje këto gjëra që ndodhën me babanë, pasi nuk arrija ta konceptoja dot atë gjë…?!
Po prindërit, mamaja me babanë, a e diskutonin atë gjë në familje, pra dënimin e babait?
Jo nuk e diskutonin kurrë, por ky ka qenë realiteti dhe unë nuk dua të ndalem gjatë në këtë ngjarje që i solli jo pak peripeci familjes sonë, pasi kështu e solli jeta me trishtime e probleme të tjera, dhe si ne, ka pasur me dhjetra familje që kanë vuajtur. Pra nuk dua të ndalem më gjatë në këtë ngjarje, pasi edhe telespektatori që na ndjek, mesiguri, pret nga unë që t’u tregoj ndonjë gjë për të qeshur…!
Por të qëndrojmë pak këtu te ngjarja me babanë tuaj që përfundoi i dënuar në Kombinat?
Po aty përfundoi, por ngaqë ishte e zoti dhe ja kishin nevojën, u detyruan dhe e bënë prap shef reparti, por tashmë në një profesion tjetër. Aq i zoti ishte, saqë edhe vetë ata specialistët dhe inxhinierët sovjetikë që ishin aty në Kombinat e pyesnin dhe konsultoheshin me të për probleme të ndryshme pune. Sepse siç ju thashë, ai kishte qenë nja një vit në Itali, në 1939-ën apo në ’40-ën, diçka e tillë dhe kishte mësuar shumë atje nga këto profesionet.
Po ju personalisht, çfar kujtimesh keni nga Kombinati, pasi aty keni kaluar jo pak vite, p.sh. nga gjimnazi çfar kujtoni?
Nga Kombinati unë kam plot kujtime dhe nga gjimnazi gjithashtu, por që nga vit 1964, që kam mbaruar unë maturën, kanë kaluar kaq vite dhe…, por sigurisht i mbaj mënd shokët e klasës e shumë prej tyre, si p.sh. disa që u bënë mjekë më vonë, si Drita Llaha (Hana) apo Bedrie Bezhani, etj. Dhe nga e gjithë klasa që ishim ne atëhere, vetëm unë devijova dhe dola kështu, z’droms, si i thonë…?!
Pra devijuat?!
Po devijova se të gjithë dolën mjekë apo inxhinierë, kurse unë…, në fakt edhe unë për Inxhinieri vazhdova në fillim…?!
Aty do ndalemi, pra, kur ishit në gjimnaz dhe mbaruat maturën, a kishit ëndrra se çfar do bëheshit, pra për çfar kishit dëshirë të studjonit?
Ëndrra ime ishte që të bëhesha piktor dhe unë kisha kërkuar që të vazhdoja Liceun Artistik, por nuk më pranuar se mua më pengonte biografia dhe këtë gjë unë e kam marrë vesh shumë vonë. Një xhaxha i babit tim, kishte ikur në 1939-ën në Amerikë. Dhe pra ai regjim, thoshin se xhaxhai nuk ka ikur në ’39-ën, por ka ikur në ’49-ën. Tani, kjo e ’49-ës, quhej i arratisur politik dhe me këtë, ata më thoshin, ‘kij kujdes tani’. Këtë e kam kuptuar vonë siç u thashë, pasi kur shkova për të konkuruar në Teatër, Instituti i Lartë i Arteve ishte atëhere, them se dola mirë, por nuk ma dhanë të drejtën, se siç dukej, ishte puna e këtij xhaxhait që ma bënë të arratisur në ’49-ën. Se nuk kishte arsye tjetër, pasi sa herë konkuroja, që në Lice e më pas, më thonin, ‘mirë, shumë mirë’, por asnjëherë nuk fitoja. Vetëm në Inxhineri Mekanike që më doli, pasi kisha shkëlqyer Vizatimin Teknik dhe nuk e di se si më doli, e qysh më doli, por Vizatimin Teknik e kisha 10 me notat që u dyfishuan në atë kohë, pasi nota më e lartë deri atëhere ishte pesa. Unë e kisha qejf Vizatimin Teknik dhe më doli Inxhineri Mekanike, ku qëndrova dy vjet, pasi nuk ma fshinë emrin si herët e tjera. Unë nuk e kisha me qejf atë degë dhe ato dy vjet kam qëndruar aty, vetëm për hatër të një shoku tim indonezian (kishte plot atëhere të huaj nëpër fakultete) që vinte përditë e më merrte dhe më jepte ndonjë kafe. E gjithë puna ishte, se si gati gati më adhuronte, sepse unë i bëja ndonjë pikturë portretin e tij dhe karikaturë, e ai kënaqej me këto, e s’më ndahej, por as unë, si ndahesha…! (qesh).
Pra ju paskeni pasur të drejtë që s’i ndaheshit, pasi e meritonit kafen me ato piktura që i bënit?
Jo vetëm kafe, ça kafe, se pastaj kaluam te drekat ne, nuk mbetëm te kafja, pra përparuam…(qesh) e shkonim në lokale serioze, si “Vollga”, por një ditë i thashë, se nuk do vazhdoj më fakultetin. Ai më tha, ‘jo mos e lë, do bësh gabim, jo kështu, jo ashtu’, por unë e kisha vendosur dhe ai ka qarë shumë kur u ndamë. Kaluan dy vjet dhe ai iku, nuk e di se ku, se nuk munda të lidhesha më dot me të.
Po ju ku shkuat pasi ikët nga Inxhineria?
Pasi ika nga Inxhinieria Mekanike, më morrën ushtar për mbrojtjen e atdheut dhe më caktuan në Tiranë, në Estradën e Ushtarit, ku isha bashkë me Roland Trebickën, shokun tim të fëmijrisë.
Po kush ju morri në Estradën e Ushtarit, si e rregulluat?
Po kush na morri, po kishim nga pak talent, thoshin, kështu na morri aty Viktor Gjoka me Thanas Gjokën dhe na çuan në Gardën e Republikës. I thamë ne, ‘po ça do bëjmë aty’, do bëjmë teatër tha Rolandi. Ishim të veshur me uniformë me armatime, me kokë të qethur, ushtar tamam. Aty filluam pastaj të merreshim me teatër, se na takoi regjizori Viktor Gjoka dhe na tha neser do vini te Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë, ku filluam provat menjëherë me Estradën e Ushtarit. Duhet të ketë qenë nëntori i 1966-ës apo ’67-ës diçka e tillë, se me këto vitet, ju thashë se nuk jam shumë i saktë. Nga aty kemi shkuar atëherë në Vërzhezhë të Skraparit, ku ishte ai “trimi pa sy” që tha shoku Enver Hoxha dhe kemi vajtur atje, kemi dhënë shfaqje në majë të malit me dëborë!
Po, i kishte keto Estrada e Ushtarit?
Po po i kishte, e kuptoj, po ku na qëlloi ne të shkonim për herë të parë atje, sa vajtëm ushtar, këtu e kisha fjalën, se ne ushtar ishim dhe do shkonim ku kishte nevojë atdheu.
Po paskeni qenë me këmbë të mbarë…?
Po po me këmbë të mbarë, atje në majë të malit ku u bë dhe një stërvitje e madhe ushtarake dhe në përfundim, të saj i dhanë edhe atij, Fuat Çelës një….
Një dekoratë…?
Jo jo ça dekorate, i dhanë një automatik, kështu “Kallash”, ja dhanë aty dhe ai i shkreti, qau nga gëzimi, se nuk e priste si duket, ja dha ai Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume dhe ai nuk shikonte, por kur ja lanë në dorë, ai i shkreti gjithë gëzim tha: “Këtë armë që ma dha Partia, do e ruaj si sytë e ballit”, e në atë moment, ai shefi i ra me brryl, (se ai nuk shihte dhe sytë thonin se ja kishte dëmtuar një granatë, por nejse) dhe ato fjalë, ai i tha nja tre herë dhe po kaq brryle hëngri i shkreti nga ai oficeri që ishte ngjitur me të! Por pastaj, si duket e kuptoi dhe herën e katërt tha: “Këtë automatik që ma dha Partia do ta ruaj në zëmër si sytë e ballit”, e kshtu…!
Qeshnit ju…?
Për të qeshur ishte, po kujt ja mbante të qeshte, ishin gjëra me zarar këto dhe nuk bëhej shaka për kollaj me ato që thoshte Partia, sesi “ai ishte trim pa sy” dhe me “Kallash”, etj. /Memorie.al