Shqipëria pjesë e platformës dixhitale të mbetjeve të riciklueshme

0
273

Projekti S.W.A.N (Platforma dixhitale për ripërdorimin e mbetjeve të ngurta për Ballkanin), është një projekt i cili aktualisht po zbatohet në vendet e Ballkanit, Shqipëri, Greqi, Qipro dhe Bullgari me një vlerë prej 968.000 euro. Ky projekt është i bashkë-financuar nga Bashkimi Europian dhe Fondet Kombëtare të vendeve pjesëmarrëse.
Projekti synon të  zhvillojë një Platformë Interaktive Teknologjie dhe Informacioni midis vendeve të Ballkanit dhe pellgut të Mesdheut, e cila do të krijojë dhe do të menaxhojë lokalisht midis vendeve pjesëmarrëse, një zinxhir vlerash për mbetjet e ngurta jo-të rrezikshme. Në këtë mënyrë do të promovohet ekonomia e gjelbër brenda një ekonomie rrethore, për të na çuar në një shoqëri me zero mbetje.
Me anë të këtij projekti po organizohen dhe po ndërlidhen (industrialisht dhe nga ana tregtare) prodhuesit e mbetjeve brenda rajonit, vendit, apo midis vendeve të Ballkanit, për të ripërdorur, ricikluar dhe rigjeneruar mbetjet e tyre në materiale të lëndës së parë për industritë e tjera.
Me anë të kësaj Platforme Dixhitale të Mbetjeve të Ngurta kërkohet të arrihet qëllimi i krijimit të Ekosistemit Dixhital SWAN dhe gradualisht integrimi i hartës së mbetjeve të ngurta dhe algoritmeve të përputhjes midis burimeve dhe përdorimeve të lëndëve ricikluese.
Qëllimi final i projektit është:
Të reduktojë ndotjen e ambjentit nëpërmjet devijimit të volumit të mbetjeve të ngurta  jo të rrezikshme të cilat groposen apo depozitohen.
Të reduktojë sasinë e importeve të lëndëve të para; të reduktojë kostot për industritë si dhe të pakësojë gazrat serë (GHG).
Ndërtimi i Platformës dixhitale SWAN do ju vijë në ndihmë agjentëve  të menaxhimit të mbeturinave për identifikimin e mundësive për një menaxhim më të mirë të tyre nga ana e biznesit si dhe promovimit të bashkëpunimit akademi-industri, për kordinimin e ofertës dhe kërkesës për mbetjet e ngurta.
Gjithashtu, zhvillimi i Hartave të Mbetjeve të Ngurta të Ballkanit do të bëjë që të komunikojnë bashkërisht aktorët kombëtarë dhe transnacionalë në zhvillimin e zhvillimeve inovative drejt arritjes së përfitimeve të një ekonomie ricikluese.
Partneret e projektit janë: Asociacioni i Komunave në Rajonin e Atikës për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta (EDSNA), Ministria Greke e Mjedisit dhe Energjisë, Universiteti i Egjeut, Ministria Shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Shoqata mjedisore ILIRIA –, Shoqata Industriale. Veçanërisht në Shqipëri është sfida e shtuar e mungesës së strategjive kombëtare ose rajonale për menaxhimin efektiv të mbeturinave të ngurta, veçanërisht ato komunale, kryesisht nga familjet, por duke përfshirë mbetjet e ngjashme nga burime të tilla si tregtia, zyrat dhe institucionet publike.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri si institucioni përgjegjës për hartimin e strategjive dhe politikave në këtë fushë, do të jetë partneri kryesor i projektit për Shqipërinë.
Shoqata Iliria, si një shoqatë mjedisore me një ndikim të spikatur në advokimin e çështjeve të mprehta mjedisore, do të plotësojë kontributin e shoqërisë civile, veçanërisht të lidhur me grupet e interesit, industritë dhe autoritet lokale.
Edhe pas përfundimit të këtij projekti ekosistemi industrial SWAN do të mbetet i lirë dhe aktiv, duke ndihmuar në ruajtjen e lidhjeve të ekosistemeve, do të kontribuojë në zgjerimin e saj në të gjitha vendet e Ballkanit duke përfshirë aktorë të tjerë (institutet kërkimore, ndërmarrjet, OJQ-të, SME-të).