Është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare ushtaraku, Ndrec Përkeqi. Nënkoloneli aktiv në Ushtri (Ministrinë e Mbrojtjes), ka ndërruar jetë në Spitalin COVID-2 pas 3 javësh luftë me koronavirusin.
Trupi do të prehet këtë të diel në Laç ku jetojnë prindërit e tij. I ardhur nga Selita në Mirditë, ai ka shërbyer në një sërë strukturash, ndërsa jetonte me qira në Tiranë me bashkëshorten dhe dy fëmijët, për të cilët të njohurit e tij thonë për “Fax News”, se mbeten në mes të 4 rrugëve.
Ndrec Përkeqi do të mbahet mend gjatë për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë luftës së Kosovës, i cili në pozicionin e komandantit të batalionit të tankeve të përqendruara në Kukës, ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në operacionet humanitare dhe ushtarake, madje duke stërvitur, mbështetur e trajnuar kontigjente njerëzore që ishin inkuadruar në luftën për çlirimin e Kosovës.
Nga viti 2017 e në vazhdim ishte përgjegjës sektori në Drejtorinë e Menaxhimit të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes.
![](https://startnews.news/wp-content/uploads/2020/11/perkeqi-300x156.jpg)