Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me hetimin e nisur nga prokuroria pas vdekjes së një të moshuari nga Covid-i.
Pasi është bërë e ditur se kanë nisur hetimet në lidhje me shitjen e bombolave të gazit online, mësohet gjithashtu se po bëhet një hetim edhe për mjekët e infektivit dhe të një prej ambulancave të urgjencës kombëtare.
Sipas burimeve, dy vëllezërit kanë kallëzuar në Polici se kanë dyshime që stafi i spitalit ka neglizhuar trajtimin ndaj babait të tij, ndërsa bombola e oksigjenit që e kishte blerë në një faqe online nuk kishte funksionuar.
Në kallëzim djali i të ndjerit është shprehur se babai është braktisur në banesë nga personeli i ambulancës.
Këto pretendime po verifikohen nga prokuroria e Tiranës, e cila me indicie ka nisur dhe hetimin për tregun e bombolave të oksigjenit.
Dy vëllezërit kanë bërë kallëzim për spitalin dhe për cilësitë e bombolave të oksigjenit që në kallëzim kanë treguar që i kanë porositur online. Sipas të dhënave babai ishte trajtuar në kushte shtëpie me bombola oksigjeni, më pas ishte dërguar në spital, ku pas negativizimit është dërguar në shtëpi ku ka ndërruar jetë.
Pas këtij kallëzimi, Prokuroria e Tiranës prej dy javësh është duke hetuar për çmimet dhe cilësitë me të cilat këto tregtohen.